Lajme

Synohet ndryshimi i rregullave për investitorët e huaj që vijnë në Kosovë

Politikat që kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë do të ndryshohen. Për këtë  Këshilli i Investitorëve Evropianë në Kosovë ka nisur diskutimet së bashku me Qeverinë që këto politika të ndryshohen, raporton Ekonomia Online, përcjell Albinfo.ch.

Emrush Ujkani, drejtor i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, ka thënë se këto politika kanë nevojë të ndryshohen, ndonëse sipas tij, klima aktuale nuk është e pafavorshme.

“Ne jemi duke diskutuar me Qeverinë që të ketë një rishikim të politikave në tërësi të asaj që ka të bëjë me tërheqjen e investimeve të huaja dhe ka nevojë që ato të përmirësohen, nuk themi që është klima e pafavorshme, por mendoj që ka nevojë dhe hapësirë për përmirësim më tepër. Si Këshill kemi marrë iniciativa me akterët relevantë, pra me Qeverinë si dhe të gjithë ata që janë të interesuar që të kemi një rishqyrtim të politikave”, ka thënë Ujkani.

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Investime Strategjike në vitin 2016, ndërsa që niveli i lartë  i korrupsionit është vlerësuar si një faktor i rëndësishëm që ka bërë që kompani ndërkombëtare të mos investojnë në Kosovë.

Ndërsa, sa i përket vonesave në zbatimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, Këshilli i Investitorëve Evropianë, sipas Ujkanit, nuk sheh asnjë justifikim. Ai ka thënë se atë vlerësojnë se votimi i Projektligjit duhet të bëhet sa më shpejt.

“Nga perspektiva e Këshillit të Investitorëve Evropian është absolutisht e pajustifikueshme. Mund të kemi mendime partiake të ndryshme, por qytetarët e Kosovës ekonomia ka nevojë si kurrë më parë për një unifikim të spektrit politik që t’i japim përgjigje situatës së krijuar”, është shprehur Ujkani.

Ai ka mirëpritur ndarjen e 60 milionë eurove nga Qeveria për sektorin privat në kuadër të Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike, edhe pse sipas tij, është i vonuar.

“Qeveria në këtë drejtim ka bërë hap të mirë, por duhet të punojë edhe më tepër me mekanizmat relevantë, si Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tjerë që veprojnë në Kosovë që t’i mobilizojë këto fonde përmes mundësisë që i janë ofruar përmes disa marrëveshjeve, e që janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Ujkani.

Në listën e përfituesve të kësaj shume prej 60 milionë eurove janë mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.