Kosova

Kosovë: Dy ushtarë austriakë të KFOR-it, me Covid- 19

Të shtunën në mbrëmje të dy ushtarët austriakë janë transferuar nga Kosova për në Austri.

Dy ushtarë të kontingjentit paqeruajtës austriak në kuadër të trupave të KFOR-it në Kosovë janë infektuar me Covid -19, raporton “derstandard.at”, përcjell Albinfo Austria.

Të shtunën në mbrëmje të dy ushtarët austriakë janë transferuar nga Kosova për në Austri. “C-130 ‘Hercules” ishte shndërruar në një “Spital fluturues”, i cili solli dy ushtarët që shërbenin në misionin e KFOR-it nga Prishtina për në vendlindjen e tyre”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Austrisë.

Në bordin e avionit gjendeshin edhe një mjek dhe specialistët e dezinfektimit. Avioni zbriti në Hörsching (Linz) në orën 19.55. Ushtarët e sëmurë më pas me vetura të Kryqit të Kuq u transferuan për në spitalin e Linz-it për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Me rreth 300 ushtarë, Austria është një nga kontribuuesit më të mëdhenj të misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë, transmeton Albinfo Austria.

Në përgjithësi, KFOR-i aktualisht ka rreth 3.500 ushtarë që shërbejnë në Kosovë.