Kosova

Në Kosovë, nga e hëna do të fillojë mësimi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, ka prezantuar dje vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili do të organizohet në dy faza.

Sipas një njoftimi të MASHT-it, faza e parë, në të cilën janë përfshirë niveli parashkollor dhe klasat 1,2,3,6 dhe 10 fillon mësimin të hënën, më 14 shtator, sipas skenarit A (me prezencë në shkollë), ndërsa klasat 4 dhe 5 fillojnë mësimin në të njëjtën datë, sipas skenarit A ose B, pra me prezencë në shkollë, ose mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës në përputhje me vlerësimin e task forcës në nivel të DKA-së dhe shkollës.

Ndërkohë, faza e dytë fillon më 21 shtator, në të cilën përfshihen klasat, 7, 8, 9, 11 dhe 12, sipas skenarit B, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim online dhe në distancë.

Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Xhavit Rexhaj, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vit të ri shkollor për disa klasë më 14 shtator.