Kosova

Kosova dhe Maqedonia diskutojnë për hapje të kufijve

Maqedonia e Veriut dhe Kosova po diskutojnë në Shkup gjendjen epidemiologjike me COVID-19, si dhe mundësinë e lehtësive për lëvizjen e qytetarëve, jo vetëm mes dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, para takimit në Shkup me homologun e tij maqedonas, Venko Filipçe, ka folur për gjendjen epidemiologjike në Kosovë, duke theksuar nevojën për lehtësi gjatë kalimeve kufitare.

“Ne do të kemi një vlerësim të ri të situatës epidemiologjike. Sigurisht, në Kosovë kemi rënie të numrit të infektimeve, jemi drejt një stabiliteti komod, por duke e rritur përgjegjësinë në zbatimin e masave. Njëherësh do të shohim si është edhe gjendja në rajon, në Shqipëri, Maqedoni, Mali të Zi, Serbi dhe qytetarëve tanë t’u mundësohet lëvizje më e lehtë”, ka deklaruar ministri Zemaj, duke theksuar se kushtet eventuale për kalimin e kufijve do të vendosen në bashkëpunim me profesionistët dhe duke u bazuar në situatën epidemiologjike.

Autoritetet e të dyja vendeve, për shkak të pandemisë, kanë vendosur kufizime për lëvizjen e qytetarëve, duke lejuar qarkullimin vetëm me test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë.

Ky test tregon nëse virusi është aktiv. Kjo vlen edhe për kalimet transit mes dy vendeve. Të dyja vendet lëvizje të lirë për momentin kanë vetëm me Shqipërinë.

Maqedonia e Veriut aktualisht ka 15.293 persona të diagnostikuar me COVID-19, prej tyre 12.754 janë shëruar, 634 kanë vdekur, kurse 1905 persona ende janë aktivë. Në nivel të shtetit janë kryer 160.180 teste.

Numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus në Kosovë arrin në 14,301. Prej tyre, gjithsej 568 pacientë kanë humbur jetën dhe 10,782 janë shëruar. Aktive vazhdojnë të mbeten edhe 2,951 raste.