Zhvillim
Në Mal të Zi opozita fiton shumicën e votave
Tri koalicionet opozitare në Mal të Zi: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit, dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazoviq, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga gjithsej 81.
Kështu tregojnë rezultatet paraprake të organizatës Qendra për Monitorim (CEMI), bazuar në 95% të mostrës nga materiali zgjedhor.
Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë fituar gjithsej 40 vende.
Në mesin e tyre janë: subjekti i deritashëm në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, partitë e pakicave shqiptare dhe boshnjake, Social-Demokratët dhe Partia Social-Demokrate, shkruan rel, përcjellë albinfo.ch
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe numri përfundimtar i ulëseve parlamentare mbeten të pasigurt ende, sepse, sipas drejtorit të CEMI-t, Zllatko Vujoviq, nuk janë numëruar të gjitha votët dhe ndryshimet e caktuara janë të mundshme.
Vendvotimet për zgjedhjet paralmentare në Mal të Zi, si dhe për zgjedhjet lokale në pesë komuna të këtij shteti, u mbyllën të dielën në orën 20:00.
Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi kanë votuar 75.9 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 409,880 votues, njoftoi organizata joqeveritare Qendra për Tranzicionin Demokratik.
Në një postim në Twitter, kjo qendër kujtoi se në zgjedhjet paraprake të 2016-ës në Mal të Zi pjesëmarrja ka qenë 73.4 për qind, ndërsa në ato të 2012-ës kanë votuar 70.6 për qind e qytetarëve.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha pas votimit se nuk ka rrezik për stabilitetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa tensionet, sipas tij, vijnë nga adresa jashtë Malit të Zi.
“Shoqëria malazeze ka kaluar nëpër tundime të tilla disa herë, andaj nuk shoh ndonjë rrezik për stabilitetin e Malit të Zi dhe për sigurinë e qytetarëve”, tha Gjukanoviq.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.
Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.
Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.
Njëkohësisht janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.
Të drejtë vote kanë pasur 540,026 qytetarë.
Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj.
Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe.
Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.
Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.
“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.
Subjekti më i madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që udhëhiqet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, ka garuar në mënyrë të pavarur, ndërsa bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.
DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.
Nga partitë e pushtetit aktual, në garë ishin edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.
Gjukanoviq: Zgjedhjet, vendimtare për ruajtjen e pavarësisë së Malit të Zi
Opozita, ndërkaq, ka garuar me tri koalicione dhe një parti.
Fronti Demokratik, partia më e madhe opozitare, njëherësh pro-serbe dhe pro-ruse, ka garuar brenda koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që udhëhiqet nga profesori Zdravko Krivokapiq – një figurë jopartiake.
Lart në listë zgjedhore ishte edhe Marko Millaçiq, i cili vitet e kaluara ka udhëhequr një fushatë kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamuj të aleancës ushtarake.
Koalicionin “Paqja është kombi ynë”, me në krye Alleksa Beçiqin, e përbëjnë Mali i Zi Demokratik dhe Demos.
Lista “E zeza në të bardhë” drejtohet nga lëvizja qytetare Ura e Dritan Abazoviqit – i cili është shqiptar – me mbështetjen e një numri të konsiderueshëm intelektualësh të profesioneve, kombeve dhe ideologjive të ndryshme.
Partia Social-Demokratike e opozitës, e cila ka garuar në mënyrë të pavarur, ka qenë në pushtet me DPS-në deri pesë vjet më parë.
Ajo e ka lënë pushtetin për shkak të, siç ka thënë, korrupsionit të kudogjendur në strukturat shtetërore.
Fushata
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale.
Në përputhje me urdhrat e Trupit Kombëtar të Koordinimit, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda.
Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë mosmarrëveshje të ashpra.
Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor, 2019, dhe me incidente të deputetëve të Frontit Demokratik, për Kishën Ortodokse Serbe paraqet përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj.
Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit.
Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin.
Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore – përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë – kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanoviqit dhe Qeverisë aktuale.
Qeveria e ka përqendruar fushatën e saj te Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita, që e mbështet atë, duke thënë se ato bëjnë përpjekje për ta përmbysur shtetësinë e Malit të Zi nga pozicioni serbomadh.
Pjesa tjetër e opozitës është marrë kryesisht me temat e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Përfaqësuesit e popujve pakicë, ndërkaq, janë përqendruar në temat e mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe tek e drejta për përfaqësim më të madh të pakicave në institucionet qeveritare dhe administratën publike.
Pa i specifikuar kërcënimet, shefat e policisë kanë thënë se institucionet nuk do të lejojnë që shteti të destabilizohet gjatë zgjedhjeve dhe se ato do ta mbrojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve.
Zgjedhjet paraprake
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi janë mbajtur më 16 tetor, 2016, me një pjesëmarrje të lartë – mbi 73 për qind – të votuesve të regjistruar. Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit i ka fituar shumicën e ulëseve.
Këto zgjedhje i ka karakterizuar afera “Grushtshteti”, pasi në ditën e votimeve janë arrestuar disa shtetas të Serbisë, nën dyshimet se kanë përgatitur përmbysjen me dhunë të Qeverisë malazeze dhe, sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, edhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq.
Gjatë gjykimit dyvjeçar, në shkallën e parë janë dënuar dy shtetas rusë, të cilët janë gjykuar në mungesë, dy udhëheqës të Frontit Demokratik dhe një grup i shtetasve serbë.
Askush prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë.
Rasti ndodhet në Gjykatën e Apelit, ku duhet të merret vendimi përfundimtar.
Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, që kanë dënim të shkallës së parë me nga pesë vjet burgim, gjenden në listën zgjedhore “Për ardhmërinë e Malit të Zi”.
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor