Kosova
Koronavirusi prek edhe remitencat e diasporës në Kosovë
Shumë qytetarë të Kosovës janë të varur nga remitencat, që luajnë rol të madh edhe në ekonominë e Kosovës. Megjithatë, si pasojë e pandemisë Covid-19, pritet rënia e tyre
Se mërgimtarët kanë luajtur rol të madh, duke ndihmuar Kosovën, që nga paralufta e këndej, është diçka që tashmë është dëshmuar në mënyrë të shumëfishtë. Dërgesat nga mërgimtarët kanë ndihmuar shumë ekonominë e Kosovës, por edhe qytetarët e Kosovës.
Por, si pasojë e pandemisë Covid-19, këtë vit pritet rënie e remitencave. Kjo, edhe për shkak se, janë prekur mërgimtarët dhe vendet ku ata jetojnë e punojnë.
Lidhur me këtë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka parashikuar rënie të të ardhurave dytësore në ekonominë e Kosovës.
Remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas BQK-së mund të pësojnë rënie sikur në kohën e krizës ekonomike globale të vitit 2009.
Vëllimi i dërgesave të emigrantëve, sipas raportit vjetor të BQK-së të vitit 2009 ishte zvogëluar për 5.5 për qind duke shënuar rënie në 505.6 milionë euro nga 535.4 milionë euro, sa ishte në vitin 2008.
Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro
Në të njëjtën periudhë edhe ekonomia e Kosovës, sipas këtyre të dhënave, kishte shënuar rënie të rritjes, nga 4.5 për qind në 3.6 për qind.
Nga të dhënat e fundit të BQK-së për dy muajt e parë të vitit 2020, vlera e remitencave të dërguara ishte 123.7 milionë euro.
Që nga viti 2014, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuar në vjetarin e Kosovës për vitin 2019, thuhet se remitencat kanë pasur trend të rritjes. Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro.
Shuma e dërgesave nga diaspora brenda një viti konsiderohet se është edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve besohet se hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Remitencat, me rëndësi jetike për Kosovën
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.
Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së, ka folur për albinfo.ch, për remitencat në Kosovë. “Remitencat janë kategori që mund të preken për shkak të krizës pandemike. Megjithatë, është ende herët të kemi një pasqyrë të qartë se sa mund të kemi rënie të remitencave, pasi që ende jemi në proces të mbledhjes së të dhënave për muajt mars dhe prill. Duhet theksuar se në këta dy muaj, për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë, është ulur në masë të madhe aktiviteti ekonomik në vendet ku ka më së shumti mërgimtarë nga Kosova”, është shprehur Ahmeti.
Ai ka shtuar se “remitencat janë një e hyrë e rëndësishme për Kosovën, pasi bëhet fjalë për një shumë prej mbi 10% të BPV-së në baza vjetore. Rënia e aktivitetit ekonomik në vendet e zhvilluara, sidomos në ato vende nga të cilat tradicionalisht kemi pasur më së shumti dërgesa për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve, mund të ndikojë në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë. Kështu që mbetet të shihet se si do të manifestohen efektet e krizës pandemike në ekonomitë ku janë të koncentruara diaspora jonë për të pasur një vlerësim më konkret për sjelljen e remitencave gjatë këtij viti”, theksoi Ahmeti për albinfo.ch.
Në muajin mars, 10 % më pak remitenca
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bërë një vlerësim preliminar të vlerës së remitencave për tremujorin e parë (TM1) të 2020. Sipas këtyre vlerësimeve, totali i remitencave në TM1 2020 është 190 milionë (185 ishte në TM1 2019). Kjo vlerë paraqet një rritje prej 3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë muajve janar dhe shkurt, ka pasur një rritje rreth 11 për qind krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar, por në muajin mars pati një rënie prej rreth 10 për qind. Remitencat e vlerësuara për muajin mars 2020 janë 64 milionë (72 milionë ishin në mars 2019).
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor