Lajme

Zvicër: 435 pacientë me koronavirus marrin frymë me respiratorë

Sipas Koch, vetëm 6 për qind e të vdekurve janë nën moshën 65 vjeç, ndërsa mosha mesatare e të gjithë atyre që kanë vdekur nga koronavirusi në Zvicër është 83 vjet

Epidemia Covid-19 ende nuk e ka arritur kulmin, ka thënë sot Daniel Koch, në emër të Zyrës Federale për Shëndet Publik (BAG). Këtë e ka deklaruar në konferencën e sotme të rregullt për shtyp, të mbajtur në Qendrën Mediale Federale në Bernë.

Ai prandaj ka theksuar se është shumë herët për të filluar heqjen e masave të shtrëngimit, të vendosura në kuadër të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme .

Sipas Koch, 435 pacientë tani janë të lidhur për respiratorë gjegjësisht kanë nevojë për ventilim artificial, transmeton albinfo.ch.

Ai u ka kujtuar mediave me këtë rast se masat për të trajtuar krizën kanë pasur që nga fillimi për qëllim mbajtjen në nivel sa më të rrafshtë të lakores së ngjitjes së infeksionit, përcjell albinfo.ch. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të mbrohen grupet e rrezikut, ka shtuar ai

Moshat e të vdekurve nga koronavirusi deri më tani shkojnë nga 32 deri në 101 vjet. Sipas Koch, vetëm 6 për qind e tyre janë nën moshën 65 vjeç, ndërsa mosha mesatare është 83 vjet.