Koronavirusi: çast pas çasti

COVID 19 dhe modeli italian i krizës

Efekti koronavirus në Kosovë ka lidhje me Italinë sepse shumica e rasteve janë të importuara nga ata që kanë qenë në Itali, prandaj edhe psikoza “italiane” përcjell me një dozë paniku çdo lajm të ri nga Kosova

Gëzim Muçolli

Kujdes dhe pa Panik. Respektoni rregullat dhe zbatoni urdhrat që dalin nga dekreti i Kryeministrit- janë parullat më të shpeshta dhe më të fuqishme që ka javë që po mbizotërojnë faqet e jetës, fizike, biologjike, mediatike dhe virtuale të banorëve të Italisë

Pas Kinës , emri i Italisë vazhdon të jetë më i përfoluri në përmasa globale pikërisht për shkak se sëmundja e re Covid-19 është përhapur në përmasa që askush nuk do t`i kishte paramenduar. Shteti italian gëzon famë pozitive për organizimin e S.S.N. (Shërbimit Shëndetësor Nacional) dhe për strukturat spitalore, qendrat diagnostike dhe mjekët specialistë, shumë prej të cilëve janë pionierë në zbatimin praktikave dhe protokolleve të reja të mjekimit të sëmundjeve dikur pothuajse të pashërueshme si transplanteve të mëlçisë, zemrës, etj. Vazhdon ende të përmendet me nderim emri i ministres që në vitin 1978 me firmën e saj, mundësoi lindjen e shërbimit mjekësor italian modern që sot siguron shëndetin dhe unitetin kombëtar më shumë se kurdoherë. Ishte zonja Tina Anselmi, partizania e dikurshme dhe ministrja e parë femër në Itali e cila ngeli në histori jo vetëm për ligjin fondamental për zhvillimin human, civil dhe qytetar (nr.833/78) po edhe për dy ligjet (nr.180/78 dhe 194/78),që kanë evidencuar jo vetëm aktivitetin e saj politik  por edhe historinë kolektive italiane. Ajo ishte katolike me bindje dhe nuk e pati votuar në Parlamentin e Italisë por për të  vërtetuar respektin e saj për institucionet  dhe laicitetin e shtetit, vuri firmën mbi ligjin 194 mbi abortin vullnetar duke dhënë vulën e shtetit mbi çështjet sociale e shëndetësore.

Italia vuan politikat e gabuara të shëndetësisë të viteve të fundit

Deri këtu mund të kuptojmë se Italia tash nuk mund të ankohet për mungesë të sistemit shëndetësor, por vajton politikat e gabueshme të qeverive që në dhjetëvjetorin e fundit, në emër të reformave dhe kursimit kanë sjellë tek mbyllja e shumë reparteve dhe spitaleve duke humbur rreth 18% të shtretërve dhe tek zvogëlimi i personelit mjekësor për 35 mijë veta si dhe numri i hospitalizimeve është zvogëluar për rreth tre milionë e gjysmë pacientë.

Rastet e para sipas autoriteteve kineze u shfaqën në dhjetor të vitit 2019 në metropolin Wuhan të banuar me 11 milion banorë, edhe pse ekzistojnë dyshimet se kishte filluar rreth një muaj më parë. Pas njoftimit të OBSH nga ana e kinezëve që ishin shfaqur një varg i rasteve të të sëmurëve me një gjendje të ngjashme me pulmonitin nga një shkaktar i panjohur që nuk korrespondonte me asnjë virus tjetër të njohur, u tha se epiqendra e sëmundjes ishte tregu i peshkut në Wuhan ku kishte përzierje të madhe të njerëzve dhe kafshëve edhe të egra, të gjalla e të vdekura në kushte higjienike të tmerrshme. Më 1 janar tregu mbyllet por tashmë sëmundja merr përmasat e një epidemie që mund ti kalonte kufijtë e Kinës. Me 11 janar vdiq nga pulmoniti, kinezi i parë i sëmurë kurse dy ditë më vonë Tajlanda shënoi viktimën e parë, një kineze që sapo kishte ardhur nga Wuhani. Me 21 janar i pari rast në SHBA del të kishte arritur nga Wuhani. Europa shënon rastet e para në Francë kurse Italia me vendim të kryeministrit Conte me 30 janar mbyll aeroportet për fluturimet me Kinën, duke deklaruar të nesërmen emergjencën e lidhur me rrezikun sanitar për gjashtë muaj. Sapo kishte arritur lajmi për dy rastet e para në Itali, dy turistë kinezë të shtruar në izolim në spitalin Spallanzani.

“Pacienti Numër Një”

Rastet e para në mesin e italianëve regjistrohen mes 21 dhe 22 shkurtit në dy zona të ndryshme, në Veneto dhe në Lombardi. Viktima e parë ishte Adriano Trevisan, një pensionist 77 vjeçar, babai i ish kryetares së Vo Euganeo, komunë në provincën e Padovës. Masat që ndërmorën autoritetet shtetërore ishin të rrepta, duke izoluar 3 javë me polici dhe ushtri këtë vendbanim dhe pas kryerjes së analizave të para dolën mbi 3% pozitivë në mesin e 95 % të banorëve (2750 persona).

Në Itali shumë ditë u fol për rastin e parë, “Pacientin Numër Një” në qytezën Kodonjo në provincën Lodi në Lombardi, i cili dyshohet ta ketë marrë virusin gjatë një darke nga një mik i tij italian i ardhur ditë më parë nga Kina. Pas mjekimit të vazhdueshëm dhe falë përgatitjes së tij fizike sportive ky pacient ditë më parë u shërua. Edhe në rastin Codogno u aplikua modeli i “shtetrrethimit” sikur në Vo Euganeo duke dhënë rezultate të mira në bllokimin e sëmundjes.

Rasti i viktimës së parë në Vo, gjen shpjegimin logjik se mund të jetë infektuar duke shikuar ndeshjen futbollistike Inter-Milan në kafenenë ku ndodheshin edhe 8 kinezë, dy prej të cilëve sapo ishin këthyer nga Kina. 19 veta në Vo ishin infektuar kurse nga komuniteti kinez të gjitha testet dolën negative, dhe dyshimet bien edhe mbi një grua kineze që fqinjët e tetë kinezëve të barit e kishin parë duke ikur, sigurisht pse nuk kishte leje të rregullt qëndrimi në Itali.

E gjithë Italia, “Zonë e kuqe”

Ditët në vazhdim kaluan mes angazhimit të mjekëve në mjekimin e rasteve që po rriteshin përditë e më shumë duke shënuar edhe rritjen e numrit të të vdekurve krahas atyre që po shërohen përditë. Me dekretet e kryeministrit  Conte pas shpalljes së zonës së kuqe më 9 mars në 14 provinca në Lombardi dhe Veneto, pas 2 ditësh me 11 mars u shpall gjithë territori italian zonë e kuqe, duke ndaluar aktivitete të shumta ekonomike e tregtare dhe duke kufizuar daljen e qytetarëve nga shtëpitë në parimin e vetizolimit vullnetar, krahas ndarjes së fondeve të konsiderueshme financiare për ta përballuar gjendjen e krijuar.

Pas moskuptimit fillestar sidomos nga të rinjtë italianë, ndërmarrja e masave ndëshkuese nga autoritetet dhe apeli i shkencëtarëve dhe mjekëve se sëmundja nuk bën të nënçmohet sepse ajo mund të sjellë humbjen e prindërve dhe gjyshërve, ka ditë që po respektohet urdhri i vetizolimit ose karantinës vullnetare.

“Psikoza italiane” ndër shqiptarët

Edhe komuniteti shqiptar rezident në Itali po e ndjek me vëmendje zhvillimin e situatës mjekësore dhe po zbaton urdhrin e qeverisë. Deri më tani është raportuar për rastin e një gruaje të vdekur nga Covid-19 e cila është përcjellë për në Durrës. Lajmet që vijnë nga atdheu janë temë preokupuese sepse deri më sot Shqipëria ka 55 raste pozitive me koronavirus kurse në Kosovë që nga paraqitja e rastit të parë në Stubëll të Vitisë, numri i të infektuarve brenda tri ditësh ka arritur në 19 raste.

Efekti koronavirus në Kosovë ka lidhje me Italinë sepse shumica e rasteve janë të importuara nga ata që kanë qenë në Itali, prandaj edhe psikoza “italiane” përcjell me një dozë paniku çdo lajm të ri nga Kosova.

Përfaqësitë diplomatike kosovare në Romë dhe Milano janë në kontakt të vazhdueshëm me mërgatën edhe pse kanë reduktuar punën sipas urdhrit të MPJ të Kosovës. Sipas prononcimeve që konsulli kosovar në Romë z.Ruzvelt Frrokaj dhe konzullit  në Milano z.Adrian Andreja, kanë bërë për albinfo.ch deri më sot nuk kanë ende asnjë rast të raportuar nga spitalet italiane e as nga familjet e mërgimtarëve kosovarë lidhur me ndonjë qytetar tonin të infektuar nga Covid-19. Ata shprehin gatishmërinë e ambasadës dhe të konsullatës për të qenë pranë nevojave urgjente të qytetarëve kosovarë në Republikën e Italisë.

Derisa numrat e fundit të publikuar nga Mbrojtja Civile italiane flasin sot për 31.506 të sëmurë dhe 2941 të shëruar, numri i të vdekurve vazhdon të jetë i lartë (2503) me 345 të vdekur më shumë se dje (16 dhe 17 mars). Italianët po analizojnë rezultatet fillestare mbi suksesin e terapisë me ilaçet e para që po testohen në pritje të zbulimit të vaksinës kundër virusit Sars-CoV-2. Populli Italian e sidomos të rinjtë po përpiqen që mbyllja mos të konsiderohet si dënim duke pasur lirinë e komunikimit që mundësojnë rrjetet sociale të pasura me iniciativa popullore plot këndime të himnit kombëtar italian dhe motiveve tjera të dashura. Në këtë atmosferë një mbrëmje një grup fqinjësh shqiptarë në një lagje po këndonte me ngazëllim edhe refrenin shqip: “…është Kosova, është Shqipëria…” duke I dhënë frymë shpresës se do të bëhet mirë!

 

Nuk raportohet asnjë shtetas kosovar i infektuar nga koronavirusi në Itali

Sipas prononcimeve që konsulli kosovar në Romë z.Ruzvelt Frrokaj dhe konzullit  në Milano z.Adrian Andreja, kanë bërë për albinfo.ch deri më sot nuk kanë ende asnjë rast të raportuar nga spitalet italiane e as nga familjet e mërgimtarëve kosovarë lidhur me ndonjë qytetar tonin të infektuar nga Covid-19. Ata shprehin gatishmërinë e ambasadës dhe të konsullatës për të qenë pranë nevojave urgjente të qytetarëve kosovarë në Republikën e Italisë.

 

  • Autori është mjek me profesion