Koronavirusi: çast pas çasti

Lojtarët pajtohen t’u ulen pagat, Juventusi i shpëton 90 milionë euro

Futbollistët e Juventusit janë pajtuar t’u ulet paga të gjithëve, duke ia shpëtuar kështu gjigantit italian rreth 90 milionë euro.

Përmes një deklaratë zyrtare, skuadra e Juventusit nuk do të marrë paga për muajt mars, prill, maj dhe qershor, të këtij viti. Si pjesë e marrëveshjes është mundësia që pagat t’u rriten lojtarëve nëse sezoni rinis, transmeton Gazeta Express.

“Juventusi lajmëron që, për shkak të emergjencës globale shëndetësore që po i ndalon aktivitetet sportive, klubi ka kërkuar mirëkuptim nga lojtarët dhe trajneri i ekipit të parë sa u përket pagave të tyre për pjesën e mbetur të sezonit aktual sportiv”, thuhet në deklaratën e Juventusit.

“Marrëveshja u arritur për uljen e pagave për një shumë të barabartë me pagat për muajt mars, prill, maj dhe qershor të vitit 2020. Në javët e ardhshme do të finalizohen marrëveshjet personale me lojtarët dhe trajnerin, ashtu siç kërkohet nga rregullat aktuale”.

“Efektet ekonomike dhe financiare të kësaj marrëveshje ndikojnë pozitivisht për rreth 90 milionë euro për vitin financiar 2019/20”.

“Nëse ndeshjet e sezonit aktual riaranzhohen, klubi do të negociojë në mirëbesim me lojtarët dhe trajnerin për rritjen e pagave. Juventusi dëshiron t’i falënderojë të gjithë lojtarët dhe trajnerin për përkushtimin e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë për të gjithë”.

Bardhezinjtë janë klubi i parë që e kanë zyrtarizuar një lajm të tillë, edhe pse Federata e Futbollit e Italisë ka premtuar se do ta publikojë planin e vet për paga deri të hënën, përcjell Albinfo.ch