Futboll

Atalanta-Valencia, ndeshja ‘bombë biologjike’ që shpërndau virusin në Evropë

Shkencëtarë të njohur kanë deklaruar me keqardhje se një ndeshje e Ligës së Kampionëve muajin e kaluar në Milano, mund të ketë qenë pika e shpërthimit të pandemisë në Evropë

Më shumë se 44,000 njerëz udhëtuan për të ndjekur ndeshjen Atalanta-Valencia të luajtur në stadiumin “San Siro” muajin e kaluar, pasi stadiumi i Atalantës në Bergamo u konsiderua shumë i vogël.

Në ndeshjen e 19 shkurtit që shumë pak kishin menduar se do të zhvillohej me tifozë, Atalanta fitoi 4:1, ndërsa tani si Italia dhe Spanja kanë më shumë se 70,000 të infektuar me koronavirusin vrasës.

Bergamo është qyteti i prekur më rëndë në Itali 3,800 të prekur me më shumë se 580 vdekje, përcjell albinfo.ch.

Profesori imunolog Francesco Le Foche tha: “Me shumë gjasa aty ndodhën shkëndijat dhe katalistët e përhapjes së virusit. Për të ardhur keq sepse Atalanta-Valencia ishte maja e euforisë së klubit nga Bergamo e ndoshta dhe për Valencia. Një muaj ka kaluar prej saj kështu që koha përputhet. Grumbullimi i mijëra njerëzve, disa centimetra larg njëri-tjetrit, përqafimet, të thirrurat, ishin nxitje masive virale. Duke parë në retrospektivë, ishte një çmenduri që ajo të luhej me spektatorë, por asokohe gjërat nuk ishin shumë të qarta. Tani do të ishte e pamendueshme”.

Valencia ka njoftuar se 35 përqind e stafit dhe futbolistëve kanë rezultuar pozitiv me sëmudjen, ndërsa te Atalanta vetëm portieri Marco Sportiello, por të gjithë janë në karantinë.

Kryebashkiaku i Bergamos, Giorgio Gori e quajti ndeshjen “bombë biologjike” dhe beson se ajo ishte shkaku i epidemisë në Evropë.