Lajme

Koronavirusi e vë në krizë “Tokyo 2020”

“Jemi seriozisht të shqetësuar nga situata e krijuar prej coronavirusit. Përhapja e këtij virusi me ritme të shpejta, 5 muaj para Olimpiadës, mund të ketë pasoja në këtë event madhor, pasi entuziazmi mund të shuhet shpejt”.

Ka qenë kjo deklarata e Toshiro Muto, presidenti i Komitetit organizator të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.

Ai nuk e fsheh frikën e një përshkallëzimi për keq të situatës prej virusit, sidomos pas lajmit se mjaft evente kualifikuese për Olimpiadën janë anuluar.

“Shpresojmë që situata të qetësohet dhe të stabilizohet sa më shpejt”, tha Muto, që për momentin nuk shprehet për ndonjë anulim edhe të Olimpiadës, që nis më 24 korrik.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, tha: “Po punojmë për të minimizuar impaktin që coronavirus mund të ketë në Olimpiadë, ku do të mbërrijnë 11 mijë sportistë. Në Fshatin Olimpik gjithçka është gati. Do të bëjmë gjithçka varet në dorën tonë që sportistët të jenë të sigurt, t’u krijojmë kushtet më të mira të mundshme për të dhënë maksimumin në Olimpiadë”, përcjell albinfo.ch.