Integrimi

Diaspora po ndryshon

Në Delemont u realizua një konferencë me vlerë shkencore dhe integruese me temë: “Vështrim mbi rolin e diasporave midis integrimit dhe kontributit në zhvillimin e vendit të origjinës”

Në një nga ditët e ngrohta të shtatorit (më 27) në sallën qendrore St-Georges në Delemont u mbajt një konferencë me vlerë shkencore dhe integruese me temë ”Vështrim mbi rolin e diasporave midis integrimit dhe kontributit në zhvillimin e vendit të origjinës”. Të organizosh konferencë për botën e mërgimtarëve do të thotë ta kesh zemrën tek ata, mandej përgjithmonë tek integrimi.

Konferenca u zhvillua nën kujdesin e përbashkët të “Zyrës së integrimit për të huajt dhe luftës kundër racizmit”, me përfaqësuesen znj. Nicole Bart dhe nën kujdesin e shoqatës “Federata intrazhyrase për bashkëpunim dhe zhvillim” (FICD) me përfaqësuesen znj. Isabelle Boegli, sekretare.

Konferencën e drejtoi z. Christophe Bugnon, publicist i shquar, autor i njohur kronikash, njëherësh aktor komik. Znj. Nicole Bart, në hapje të saj tha se kjo konferencë mbahet në kuadër të festivalit “Notes d’Exquinoxe”.

Në konferencë morën pjesë personalitete të rëndësishme zvicerane dhe përfaqësues të institucioneve shkencore të ardhësve, dhe kjo paraqet një shembull të shkëlqyer të lirive demokratike të shoqërisë zvicerane.

Zotit Michel Probst, ministër i Ekonomisë dhe i Zhvillimit në Kantonin Jura, i takoi nderi të hapë konferencën. Zoti Probst ndër të tjera theksoi se kur kemi të bëjmë me termin “diasporë” sot ajo po e humb kuptimin e parë dhe shpeshherë përzihet diaspora dhe komunitetin e të huajve. Kjo shihet se diasporat kanë rol të veçantë të bëjnë gjëra pozitive dhe që njerëzit e vendit ku jetojnë t’i kuptojnë më mirë pjesëtarët e saj. P.sh. në rastin e shqiptarëve, për shkak të përkushtimit të tyre ndaj vendit të vet, sado që kanë dëshiruar, nuk u është mundësuar një fillim i mbarë i integrimit deri me përfundimin e luftës. Dhe diasporat kanë edhe rolin tjetër që të ndihmojnë dhe të përcjellin arritjet e brezit të ri. Rrënjët nuk duhet të jenë një pengesë për njeriun, por një themel për të ndërtuar gjëra të reja.

Referatin kryesor me titull “Diasporat: Nyjë ndërlidhëse mes integrimit dhe vendit të origjinës” e mbajti prof. Claudio Bolzman, pedagog në Shkollën e Lartë të Punës Sociale, HES-SO në Gjenevë. Ai i hapi fletët e hulumtimeve duke dhënë një pasqyrë për diasporat. Filloi nga shpjegim i fjalës «diasporë» që rrjedh nga gjuha greke apo biblike. Sot e ka kuptimin e shpërndarjes në shtete të ndryshme. Origjinat e diasporës janë të ndryshme dhe për nga forma e «detyrimit» që i bën njerëzit të marrin rrugën e mërgimit janë të ndryshme. Akoma edhe sot shpërndarja bëhet më shumë për shkaqe ekonomike, po edhe për shkaqe të dhunës në disa shtete. Diasporat ndahen edhe në lloje të ndryshme, sikurse janë ato në ndërtim dhe ato që janë konsoliduar apo kristalizuar. Te kosovarët integrimi u bë shumë më i qetë dhe i mirë pasi arriti demokracia në shtetin e tyre. Më tutje tha:

“700.000 zviceranë jetojnë jashtë Zvicrës, do të thotë që edhe Zvicra e ka një diasporë. Zviceranët e quajnë diasporën e tyre Zvicra e 5-të, si pjesa plotësuese e katër regjioneve gjuhësore të Zvicrës”.

Diasporat karakterizohen në disa aspekte: Shpërndarja bëhet në shtete të ndryshme (në disa shtete). Diasporat e shteteve të ndryshme kanë lidhje mes vete. Njerëzit kanë shpresë që do të kthehen, edhe pse kthimi i tyre është më shumë një mit. Diaspora ka një identitet kolektiv dhe origjinat e veta të veçanta. Diasporat bëjnë aksione dhe kanë kërkesa në shtetin e tyre të origjinës, por edhe në shtetin ku jetojnë (si kërkesa për të mësuar gjuhën e tyre si dhe për të drejtën e votimit). Diasporat kanë rol identitar (simbolik), shoqëror (mbajnë lidhjet mes njerëzve), kulturor e shkencor: dituria qarkullon, politik (rol përfaqësues në vendin ku jetojnë), rol ekonomik në këta lëmenj: transfere parash private, investim tradicional, ndërtime, tokë, shitore, firma të ndryshme, projekte kolektive për zhvillim, shëndetësi, shoqërore, edukative, etj.

Prof. Claudio Bolzman që rreshtohet ndër të parët përkushtues të çështjes së diasporave vë në dukje kështu rolin e saj në:

– Rol për lidhje dhe partneritet mes shteteve, “reklamë” të mirë për shtetin e origjinës.

– Rol në shtetin ku qëndron diaspora:

– Ndërmarrjet etnike (piceri, kebab, etj.)

– Ndërmarrjet dhe punët që nuk i bëjnë të tjerët.

– Dituria dhe profesioni i punëtorëve.

Integrimi është të pranosh që gjërat ndryshojnë dhe që të arrish një barazi mes vazhdimësisë dhe ndryshimit. Integrimi lejon që shoqëria të mos jetë e palëvizshme, por që të jetë një jetë plot gjallëri. Integrimi duhet të bëhet në harmoni me dinamikën e ndryshimit.

Diasporat kanë nevojë për t’i ndihmuar në forma të ndryshme, ndihmesa që të mund t’i realizojnë projektet e tyre. Diasporat nuk janë të barabarta mes vete, disa pranohen me lehtë se të tjerat. Por edhe refuzimi në fillim është pjesë e procesit të pranimit, pjesë e një dialogu të nevojshëm, sepse askush nuk i ka idetë e njëjta dhe është pjesë e zhvillimit demokratik. Ndoshta që edhe kushtet ligjore të vizave duhet të ndryshohen dhe që të adaptohen në mënyrë që integrimi mund të fillojë menjëherë dhe jo vetëm pasi që të sigurohet e drejta e qëndrimit afatgjatë.

Me mjaft interes ishte pjesa e fundit e diskutimeve në një tryezë bashkëbisedimi mes të pranishmëve. Z. Pietro Mona, zëvendësdrejtor i Programit të përgjithshëm të zhvillimit të emigracionit, znj.Cristiane Lins Kury, nga Asociacioni i Solidaritetit Amazon (FUSAM). z. Michel Probst dhe znj. Albana Krasniqi, koordinatore në Universitetin Popullor Shqiptar në Gjenevë, anëtare e Komitetit të Komisionit federal për çështje të migracionit.

Albana Krasniqi e ka hapur diskutimin, duke sjellë në kujtesë valët e mërgimit shqiptar në Zvicër qysh 40 vjet më parë. Ajo ka renditur një varg ngjarjesh të rëndësishme në listën e kontributit të mërgimtarëve nga fillimi deri më sot, kur ajo gjendet në fazë të kristalizimit dhe ky konsolidim shprehet dukshëm në të gjitha anët: si në arsim, në punë, kulturë, sport dhe me pjesëmarrje gjithmonë më të përparuar në jetën publike të Zvicrës. Diaspora po ndryshon në rolin e saj edhe përballë kontributit ndaj atdheut. Ajo nuk e luan vetëm rolin në dërgimin e të hollave, por bart njohuri dhe kompetenca nga lëmenj të ndryshëm që i kanë fituar në Zvicër dhe kjo është edhe më tepër domethënëse sesa ana financiare.