Kultura

“2 gisht mjaltë” po shfaqet në 18 kinema zvicerane, me tendencë shtimi

Duke filluar nga nesër, e enjte, 9 maj, filmi do të mund të shikohet edhe në qytetet e Zvicrës Italiane, në Lugano dhe Locarno, thotë për albinfo.ch distributori i tij, Lukas Diehl

Suksesi i madh që ka përjetuar komedia “2gisht mjaltë” me shfaqjen e saj në në një numër kinemashë të Zvicrës gjermane dhe të aasaj franceze (Gjenevë dhe në Lozanë) ka ngjallur interesimin për ta parë atë edhe në zonat tjera të Zvicrës. Kështu, në zonën frankofone, nga sonte filmi fillon të shfaqet edhe në Fribourg, në Kino Arena.

Risi përbën fakti se, duke filluar nga nesër, e enjte, 9 maj, filmi do të mund të shikohet edhe në qytetet e Zvicrës Italiane, në Lugano dhe Locarno, thotë për albinfo.ch distributori i tij, Lukas Diehl. Në Lugano ai shfaqet në kinemanë “Cinestar” ndërsa në Locarno, në kinemanë “Rialto”.

Ndërkaq, jehona e suksesit të filmit që filloi të shfaqet më 2 maj në 11 qytete zvicerane përnjëherësh, ka bërë që kërkesat për ta shikuar atë të shtohen edhe në qytete tjera të Zvicrës gjermane. Kështu, duke filluar nga nesër, 9 maj, “2 gisht mjaltë” do të jetë edhe në programin e kinemave të qyteteve: Thun (Kino Rex), Glarus (Nesstal Wiggispark) dhe Spreitenbach (Pathe).

Po ashtu duke filluar nga 9 maji, filmi, përveç në Kino RiffRaff do të mund të shikohet edhe në një kinema tjetër të Cyrihut, në atë “Arena”.

Deri tash, komedia “2gisht mjaltë” po dëshmohet e suksesshme edhe në konkurrencën zvicerane të kinemave, duke zënë vendin e tretë në charts për tri ditët e para të shfaqjes. Aktualisht ajo është duke u shfaqur ose fillon të shfaqet nga nesër, në gjithsej 18 kinema, me tendencë të shtimit të numrit të tyre, saktëson Lukas Diehl për albinfo.ch