Shkurt.ch

Kush na shqetëson natën me telefonata?

Marketingu me anë të sms-ave dhe telefonatave në familjet shqiptare në Zvicër është shndërruar si duket në një dukuri shqetësuese. Albinfo.ch sjell dëshmi për lexuesit e saj se si duhet të mbrohen legalisht nga ky fenomen që pengon në përditshmërinë e jetës së tyre private

Bezdisjet dhe shqetësimet e telefonatave të padëshirueshme shpeshtohen sidomos për çdo sezon kur lëvizjet e diasporës drejt Kosovës janë të stërngarkuara nga kërkesat për udhëtim, por edhe në kohën e ndërrimit të sigurimeve shëndetësore. Nuk mungojnë thirrjet e sms-at as për kredi, e deri te ato për thithëse elektrike!

Vehbi Salihi, 34-vjeçar nga Cyrihu, brenda një viti është detyruar ta ndërronte tri herë numrin e telefonit mobil. Ani pse ky fakt nuk i pëlqen fare, Vehbiu nuk kishte alternativë për ta “shpëtuar” vetën nga bezdisjet dhe shqetësimet e telefonatave të padëshirueshme. „Po habitem qysh po ma gjejnë numrin e telefonit. Paramendo, kjo ndodh edhe në Zvicër», thotë për albinfo.ch Vehbi Salihi.

Edhe Agim Halimi është prekur nga marketingu me sms-a dhe telefonata të padëshirueshme. „Me thirrin edhe në orët vona të natës. Jo a po do me ndërru sigurimin, jo apo do kred. S’di prej nga thirrin. Mund të jenë prej Kosove. Kryesorja, të shqetësojnë dhe nuk të lajnë rehat», thotë Agimi nga Berna.

Burim Hasaj, njohës i mirë në fushën e aviacionit civil, i fajëson ata që iu besojnë sms-ve dhe thirrjeve të rrejshme. „Problemi është më shumë i vetë udhëtarëve dhe mendjelehtësia e tyre, duke besuar në të ashtuquajturat «call center» pa menduar se kush janë ata njerëz dhe kush fshihet pas tyre, të cilët me 500 euro shpenzime lëshojnë mesazhe në numra telefonash të internetit të improvizuara kinse janë në Cyrih apo Bazel, apo në Gjermani, e në realitet, ata janë të gjithë në Kosovë, të fshehur në banesa dhe bodrume të ndryshme dhe një grup i njëjtë vajzash që lajmërohen vazhdimisht në ata telefona“, thotë Hasaj.

Hasaj, i cili me vite merret me këtë veprimtari, befasohet se si është e mundur që për 20 vjet të punës së tyre të njëpasnjëshme nuk arritën të kenë agjencinë e tyre, sikur e kanë edhe mjekun e tyre, ashtu si avokatin e tyre. „E jo të vrapojnë pas disa telefonave dhe firmave, të cilat nuk ekzistojnë askund ose kanë falimentuar duke i mashtruar udhëtarët“, thekson Hasaj.

A dënohet dikush për këto shqetësime telefonike ?

Ligji i ri për konkurrencën e padrejtë ka hyrë në fuqi që nga 1 prilli i 2012-ës. Prej asaj dite organizata për konsumatorë (FRC), ajo e gjermanofolësve (SKS) si dhe ajo e Ticino-s (ACSI) kanë vënë në dispozicion të qytetarëve në internet formularët përkatës për denoncim. Teksti i ri parasheh mbrojtjen sa më të mirë të konsumatorëve dhe të ndërmarrjeve. 

Një veprim i tillë është i dënueshëm me burgim deri në 3 vjet, apo me të holla deri në 100 mijë franga». „Shumë mirë thotë ligji në fjalë. Janë të cekura edhe rastet kur është e lejueshme marketingu me sms-a, e-mail etj. Ata të cilët dërgojnë apo angazhojnë të tjerë për të dërguar reklama masive, p.sh. përmes sms-ave, të cilat nuk kanë ndonjë lidhje me ndonjë përmbajtje të kërkuar nga ata persona që e marrin atë reklamë, pa marrë paraprakisht lejen nga personi, të cilit i dërgohet sms-i me reklamë dhe pa e dhënë sakt dërguesin ose pa treguar për mundësinë e refuzimit të sms-it, e cila duhet të jetë e mundur pa problem dhe pa shpenzime për pranuesin e sms-it“, thotë në një prononcim për albinfo.ch juristi Orhan Spahiu.

Në cilat raste lejohet telemarketingu ?

„Firmat, të cilat gjatë promovimit të produkteve apo shërbimeve i marrin informatat kontaktuese nga klientët e tyre dhe njëkohësisht informojnë për mundësinë e refuzimit të atyre informacioneve, të cilat dërgohen, atëherë një veprim i këtillë konsiderohet i ligjshëm, nëse atyre klientëve u dërgohen reklama», thotë Spahiu.

Nga ana tjetër, Janine Jakob, udhëheqëse për shëndetësi dhe drejtësi në Fondacionin për Mbrojtjen e Konsumatorit, tregon për albinfo.ch se vitin e kaluar vetëm deri në shtator kanë pranuar 3.200 ankesa për praktika jolojale të biznesit. “Ajo çka befason më pak në 90% të rasteve është ngacmimi telefonik (shpërfillja e shenjës përkatëse në librat e telefonave) si shkas për ankesa. Aleanca organizatave për mbrojtjen e konsumatorit bën 36 ankesa në prokurori të ndryshme kantonale”, tha Jakob.

Shpesh është shumë e vështirë për të bërë identifikimin e kompanive të cilat vijnë nga thirrjet e padëshiruara “Telemarketing”. “Manipulimi i numrave të telefonit, mbivendosja e etiketave të firmave, bartja e kërkesave në qendrat telefonike (Callcenter) jashtë vendit ose sondazhet fiktive janë vetëm disa nga truqet që aplikohen për t`iu shmangur ligjit ose për ta vështirësuar zbatimin e tij”, tha Jakob për albinfo.ch.

Aleanca e organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve kërkon nga drejtësia zvicerane për të shqiptuar dënime që të kenë një efekt parandalues. Që nga hyrja në fuqi e Ligji të ri për konkurrencën e padrejtë nga 1 prilli 2012, Aleanca e organizatave për mbrojtjen e konsumatorit ka marrë 8.120 ankesa dhe më shumë se 50 padi  të proceduara.

Përveç thirrjeve telefonike të padëshiruara, mashtrimeve nëpërmjet listave të numrave të librit telefonik, premtimeve joreale për fitime marramendëse, edhe veprime të tjera mund të raportohen dhe të denoncohen, siç janë faqet e internetit për shitje me boshllëqe on-line.

Sevdail TAHIRI