E-Diaspora

Ambasada e Kosovës në Zvicër mbështet shoqatën “Sytë kërkojnë dritë“

Ambasadorja Nazane Breca, e shoqëruar nga Mustafë Xhemaili, ministër-këshilltar, ka pritur në takim delegacionin e shoqatës “Sytë kërkojnë dritë“.

Kryetarja znj. Krasniqi ka njoftuar ambasadoren Breca se kjo shoqata e themeluar dhe e regjistruar në organet zvicerane në vitin 2016, ka qendrën  e saj në Lucern dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës si dhe me organizatat e tjera të personave me aftësi të kufizuara të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Madje, një bashkëpunim të mirë shoqata e zhvillon edhe me mekanizma me shoqata humanitare në Principaten e Lihtenshtajnit, ku atje u është siguruar një depo e përshtatshme për grumbullimin e materialeve të dhuruara, përgatitjen dhe dërgimi e tyre nga organizatat përkatëse humanitare të Lihtenshtajnit drejtpërdrejt në Kosovë. 

Ndihmë ata kanë edhe nga shumë bashkatdhetarë nga e gjithë Zvicra, të cilët ofrojnë mjetete të ndryshme për këtë Shoqatë. 

Ambasadorja ka thënë se ambasada dhe dy konsullatat e saja në Gjenevë dhe në Cyrih, do ta mbështesë me të gjitha mundësitë, nga kontaktet e ndryshme me organizata humanitare kantonale e komunale në Zvicër e Lihtenshtajn, të lehtësimeve doganore për dërgimin e materialeve në Kosovë në destinacionet e duhura e, deri te lobimi diplomatik te organizatat e mëdha ndërkombëtare në Zvicër, siç janë Kryqi i Kuq me seli në Gjenevë, Caritasin zviceran etj.