Integrimi
Nderohet me çmimin “Diaspora” kontributi i Leuenberger-it për Kosovën
Në Bernë është bërë sonte ndarja e çmimit “Diaspora” i cili i është dhënë politikanit të njohur zviceran dhe mikut të shqiptarëve, Ueli Leuenberger
Shqiponja Isufi, docente e ekonomisë në Universitetin e Cyrihut ka thënë disa fjalë në emrin e brezit të ri e të integruar të shqiptarëve në Zvicër. Më tutje është shfaqur në ekran një emision dokumentar që përcjell jetën dhe aktivitetet e Ueli Leuenbergerit nga fillimet e tij në lëvizjen sindikaliste e deri më sot.
Ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj ka prezantuar portretin e Ueli Leuenberfgerit prej veprimtari të përkushtuar në të mirë të kauzës së shqiptarëve dhe të Kosovës, që fillon prej 35 vitesh dhe që vazhdon edhe sot. Si një pikë kulmore të kësaj veprimtarie të ngjeshur të Leuenbergerit, z. Malaj ka përmendur themelimin e Universitetit Popullor të Shqiptarëve në Gjenevë në vitin 1996. Leuenberger, sipas Malajt edhe sot vazhdon të jetë në krah të shtetit të ri të Kosovës, një pjesë të meritave për ngritjen e të cilit i takojnë edhe atij.
Manifestimin e ka nderuar me praninë e saj edhe kryetarja e Parlamentit të Zvicrës, Maya Graf, e cila u është drejtuar të pranishmëve duke përshëndetur në emrin e parlamentit. Ajo ka evokuar edhe hollësi nga vizita që së bashku me një delegacion parlamentar e ka realizuar para pak javësh në Kosovë. Kryyeparlamentarja ka theksuar se Kosova ka dhe do ta ketë mbështetjen e Zvicrës në zhvillimin e demokracisë së atjeshme të re. Graf ka përgëzuar edhe Ueli Leuenbergerin, i cili vjen nga e njëjta parti të cilën e përfaqëson edhe ajo në parlament, nga të Gjelbrit.
Kryetari i Kuvendit Shqiptar në Zvicër, Jeton Kryeziu ka folur në emrin e subjektit që drejton. Ai ka falënderuar z. Leuenberger për kontributin e tij të madh që i ka dhënë për komunitetin shqiptar. Por, ka thënë Kryeziu, duke cituar Leuenbergerin, “Sot ka ardhur koha kur shqiptarët duhet të marrin punët në duar të veta”. Në këtë kuptim ai ka numëruar disa nga sukseset që sipas tij i kanë realizuar shqiptarët kohëve të fundit, përfshirë këtu edhe themelimin e Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër. Kryeziu ka lavdëruar z. Leuenberger edhe për angazhimin e tij aktual në raportet Zvicër-Kosovë, si në kontestin e sigurimeve shoqërore etj.
Në përmbyllje është paraqitur me një fjalë falënderimi laureati i çmimit “Diaspora” për vitin 2013, Ueli Leuenberger. Ai ka përkujtuar kohën kur, si punëtor sindikal e më vone edhe politik, ka ndihmuar shqiptarët të cilët gjendeshin në një situatë të vështirë, si refugjatë ose si punëtorë sezonalë krahu. Në këtë kohë, në fund të viteve 70 zë fill veprimtaria e tij me shqiptarët. Fillimisht në mbrojtje të të drejtave të tyre si punëtorë e më vonë edhe në dobi të kauzës së drejtë të Kosovës.
Ai ka thënë se shqiptarët, atëbotë përballeshin me probleme të natyrave të ndryshme, dhe si komunitet që nuk gëzonte mbështetje, kishte tërhequr vëmendjen e tij për të ndihmuar. Faza e ardhjes masive të shqiptarëve në Zvicër, pas shkatërrimit të institucioneve të Kosovës ka qenë periudha tjetër kur ata kishin nevojë për mbështetjen e aktivistëve si Ueli. Kjo mbështetje pastaj u kurorëzua me themelimin e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, tha Ueli Leuneberger, duke falënderuar komunitetin shqiptar për çmimin e dhënë.
Në solemnitet ishin të pranishëm edhe disa përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, tre prej të cilëve në nivel ambasadori. Nga Kosova, ishte në cilësinë e mysafirit sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës.
çmimi “Diaspora” është themeluar tre vjet më parë dhe ndahet nga komuniteti shqiptar i Zvicrës për personalitetet ose institucionet që kontribuojnë për këtë komunitet dhe për shqiptarët në përgjithësi. Këtë çmim deri më tash e kanë marrë ish ministrja e jashtme dhe presidentja e Zvicrës Micheline Calmy-Rey dhe futbollisti i njohur shqiptaro-zviceran Xherdan Shaqiri.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës