Integrimi

“Albinfo.ch” dhe “La Télé” me emision të përbashkët

Transmetimi i emisionit televiziv të parë « Diversité », në gjuhën frënge, në kanalin zviceran “La Télé”. Pra, tash e tutje, përveç emisioneve javore “In & Out”, të transmetuara në RTK, ekipi i albinfo.ch, në bashkëpunim me kanalin televiziv “La Télé” do të transmetojë çdo të martë, në orën 20:30, emisionin e përbashkët javor. Emisioni në fjalë do të ritransmetohet disa herë deri të nesërmen në mesditë.

Emisioni i parë, i cili udhëhiqet nga drejtori i albinfo.ch, Bashkim Iseni dhe gazetarja e “La Télé”, Tania Barril, i përkushtohet emigracionit dhe potencialeve të saj në të mirë të ekonomisë zvicerane. Të ftuar janë Këshilltari nacional i CVP-PDC, Jacques Neirynck dhe Fracesco Garuffo, historian i emigracionit në Zvicër. Në mes të debatit transmetohet një reportazh i realizuar nga albinfo.ch, në bashkëbisedë me Jean-Claude Biver, pronar i fabrikës së orëve të famshme “Hublot”.

Gjatë javës së ardhshme trajtohet çështja e vështirësive që hasin të rinjtë me prejardhje emigrante për gjetjen e vendeve të zanatit (Lehren-Apprentissage) në Zvicër.