Integrimi

Kosova bashkon mjekët vendorë dhe ata të diasporës

Në Prishtinë, për herë të parë, u mblodhën bashkë, mjekët e diasporës dhe ata të vendit, për t’i koordinuar veprimet. Kjo konferencë është iniciuar nga Ministria e Diasporës

Më shumë se 100 mjekë kosovarë që punojnë dhe jetojnë nëpër vendet e ndryshme të botës, kanë marrë pjesë të premten në Prishtinë, në një konferencë organizuar nga Ministria e Diasporës, me qëllim që të krijohet një rrjet i përbashkët i mjekëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Kjo konferencë, e parë e këtij lloji, është organizuar nga MeD e mbështetur edhe nga Ministra e Shëndetësisë dhe institucionet tjera shëndetësore, QKUK-në, Fakultetin e Mjekësisë të UP-së, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Akademinë e Shkencave Mjekësore të Kosovës, etj.

Ideja e kësaj konference, siç ka deklaruar në fillim, ministri Ibrahim Makolli, është që të gjithë mjekët shqiptarë që janë shpërndarë nëpër botë, dhe bashkë me kapacitetet mjekësore që janë brenda, të krijojnë një strukturë e përbashkët e mjekësisë, për t’i ndihmuar popullit në Kosovë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë shumë mjekë, specialistë të fushave të ndryshme në mjekësi, të cilët kanë lënë gjurmë në mjekësinë botërore, siç janë Dalladaku, Berisha, etj

Në fillim të konferencës ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, përfaqësues të institucioneve shëndetësore, arsimore dhe mjekë nga Kosova.

 

Pacolli: Kosova ka nevojë për mjekët e diasporës

Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendëskryeministri Pacolli tha se ndihet shumë mirë që gjendet në mesin e mjekëve shqiptarë që punojnë dhe veprojnë në diasporë. Ideja e një konference me mjekët shqiptarë nga diaspora, sipas tij, ka qenë e kamotshme.

Ai tha se është i gatshëm ta japë kontributin e tij institucional dhe personal për avancimin e shëndetësisë në Kosovë. Ndërkaq i falënderoi të gjithë mjekët shqiptarë që kanë ardhur në Kosovë, për të marrë pjesë në këtë konferencë. Ai tha se populli i Kosovës ka nevojë jashtëzakonisht shumë për ta.     

“Populli i Kosovës ka nevojë të madhe për ndihmë në aspektin shëndetësor dhe besoj fort që mjekët tanë në diasporë do ta japin kontributin e tyre në këtë drejtim, ashtu siç e kanë dhënë deri tash në fusha të ndryshme”, deklaroi Pacolli, sipas të cilit një shumë e madhe e parasë shkon për t’u shëruar ashtë vendit.

“Ju keni lënë anash egon. Keni lënë familjet e juaja dhe keni ardhur në Kosovës në ketë konferencë, për të parë se Kosova ka nevojë për ju”, deklaroi Pacolli, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij e ka kaluar në mërgim.

Ndërkaq, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli shprehu bindjen se bashkimi i potencialit brenda dhe jashtë vendit, në të gjitha fushat, në veçanti në shëndetësi, do të jetë me shumë dobi për Kosovën dhe qytetaret e saj.

“Ministria e Diasporës në fushëveprimin e vet ka për obligim identifikimin e kapaciteteve që ka mërgata jonë, prandaj, kësaj radhe e kemi zgjedhur pikërisht këtë fushë. Kemi pasur dhe kemi për qëllim t’i bëjmë bashkë në një vend profesionistët e mjekësisë që kemi jashtë vendit…për t’i analizuar dhe për t’i identifikuar mundësitë e bashkimit të potencialeve dhe të eksperiencës që ka secili prej mjekëve jashtë vendit dhe brenda tij”, tha Makolli.

Këto dy ditë të konferencë, sipas MeD pret që të diskutohen dhe të identifikohen format e bashkëpunimit, të diskutohen dhe të identifikohen format, që eksperienca e fituar në vendet e ndryshme të botës, të jetë edhe në funksion të zhvillimit dhe avancimit të shëndetësisë në Kosovë.

“Presim që kjo konferencë të institucionalizojë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin mes institucioneve të shëndetësisë në Kosovë dhe mjekëve nga diaspora”, tha ndër të tjera ministri Makolli.

Mjekët nga diaspora e përshëndeti edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili e vlerësoi lart idenë për një konferencë të tillë të profesionistëve në fushën e mjekësisë.

Ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të ministrisë që e drejton për mbështetjen e iniciativave  të këtilla, të shkëmbimit të përvojave të mjekëve tanë që punojnë jashtë vendit dhe atyre brenda tij, në të mirë të shëndetësisë në Kosovë.

 

Dyert i fakultetit mbeten të hapura për mjekët e diasporës

Gjatë ditës së sotme, mjekë të fushave të ndryshme diskutuan mundësi të bashkëpunimit  me kolegë të tyre në Kosovë, si dhe me institucione shëndetësore të Qeverisë së Kosovës në të mirë të avancimit të sistemi shëndetësor.

Ata u treguan të gatshëm për bashkëpunim me kolegët e tyre që punojnë në Kosovë.

Të pranishmeve në konferencë iu drejtua edhe zëvendës-srektori i Universitetit të Prishtinës, Avdullah Alija i cili ftoi mjekët shqiptarë për bashkëpunim edhe në fushën shkencore.