Integrimi

Elez Badalli nuk arrin të fitojë

Megjithëkëtë, duke fituar 2644 vota, në një komunë me numër jo shumë të madh banorësh, Elezi ka treguar një rezultat mjaft të respektueshëm

Në zgjedhjet për këshilltarë të Asamblesë Komunale të Luganos, të mbajtura të dielën, kandidati i vetëm shqiptar dhe i pari deri më tash në këtë qytet, Elez Badalli nuk ia ka dalë të fitojë votat e mjaftueshme për këtë post. Megjithëkëtë, duke fituar 2644 vota, në një komunë me numër jo shumë të madh banorësh, Elezi ka treguar një rezultat mjaft të respektueshëm. Kur kemi parasysh moshën e tij shumë të re (24 vjeç) dhe faktin se për herë të parë po merrte pjesë në zgjedhje, kjo mund të quhet një rrëfim suksesi.

Kështu mendon edhe udhëheqësi i fushatës elektorale të Badallit dhe miku i tij, Remzi Durmishi.

“Elezi ka bërë një fushatë të sinqertë dhe ka arritur një rezultat që do ta cilësoja si shumë të mirë, edhe pse jo të mjaftueshëm për të siguruar vendin e këshilltarit në asamble.

Edhe me këtë rezultat, ne këtë e konsiderojmë si një përprim historik për komunitetin tonë në Lugano. Atij i kanë munguar rreth 600 vota për tu zgjedhur”, thotë Remzi Durmishi, kryesues i stafit zgjedhor të kandidatit nga PPD, Elez Badalli.

“Ne, te rasti i Badallit shohim një perspektivë të qartë. Ky është vetëm fillimi. Dhe, një fillim shumë premtues”, përfundon Durmishi.

Ai bashkë me kandidatin Badalli, me këtë rast falënderojnë të gjithë, vendësit, shqiptarët dhe të tjerët me shtetësi zvicerane, që kanë votuar për kandidatin shqiptar, duke dëshmuar kështu besimin ndaj të riut ambicioz shqiptar.