Integrimi

Zgjedhjet mobilizojnë kërçovarët e Zvicrës

Duket se kërçovarët në Zvicër janë mobilizuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 24 mars në Maqedoni

Janë mbi 3 mijë mërgimtarë shqiptarë nga Maqedonia që kanë konfirmuar se do të udhëtojnë për në vendlindje për të votuar në zgjedhjet lokale .

 Të paktën kështu thonë koordinatorët e Këshilli Organizativ për zgjedhjet lokale në Maqedoni nga Zvicra.

“Në bazë të raportimeve të aktivistëve që përfaqësojnë kantonet në Zvicër dhe bashkësitë e këtushme vendore, mbi 3 mijë kërçovarët tashmë i kanë siguruar biletat e udhëtimit dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në votimet e 24 marsit”, tha për albinfo.ch, njëri nga koordinatorët  nga Zvicra, Munir Mehdiu.

Sipas Mehidut numri atyre që do të kthehen për të votuar në vendlindje nuk është definitiv dhe se aktivistët e këtushëm japin shpresa se numri i votuesve nga Zvicra do të jetë edhe më i madh.

Kërçovari nga Biel Bieni i Zvicrës ka thënë të jenë marrë vesh me agjencitë e udhëtimit që të fiksojnë 250 franga çmimin e biletave për qytetarët e Maqedonisë që udhëtojnë për të votuar.

Munir Mehdiu, njëherësh edhe drejtor i televizioni lokal Uskana në Maqedoni, tha të jetë krijuar Këshilli Organizativ vetëm për të mobilizuar qytetarët që të shkojnë në votime.

 Këshilli në fjalë nuk është në  dijeni për iniciativat tjera individuale të mërgimtarëve të cilët udhëtojnë  me automjete dhe autobus nga Zvicra për në Maqedoni.  

Zvicra do të përbëjë 50 për qind të votuesve nga diaspora ndërsa pjesa tjetër e votave të nevojshme për fitore të sigurt në zgjedhjet e 24 marsit, do të vijnë nga Gjermania, Austria, Italia, Franca dhe SHBA, thonë në Këshillin Organizativ në Zvicër që është formuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 24 mars në Maqedoni.