Integrimi

Mjekët e huaj, konflikte nga mosnjohja e gjuhës

“Problemet në të kuptuar, po rriten me rritjen e numrit të mjekëve të ardhur nga jashtë”, ka thënë një anëtar i kryesisë së Dhomës së mjekëve të Gjermanisë

Në spitalet e Gjermanisë gjithnjë më shpesh ndodhin konflikte për shkak të problemeve me komunikim. Arsyeja është prania e madhe e mjekëve të huaj që punojnë në Gjermani, të cilët kanë mangësi të mëdha në njohjen e gjuhës gjermane.

Aktualisht janë gjithsej 30 mijë mjekë nga vendet e ndryshme që punojnë nëpër klinikat e Gjermanisë. Ata kanë ardhur për shkak se në Gjermani po vjen duke u shtuar nevoja për mjekë. Llogaritet se deri në vitin 2020 numi i mjekëve të huaj në Gjermani do të arrijë në 56000.

“Problemet në të kuptuar, po rriten me rritjen e numrit të mjekëve të ardhur nga jashtë”, ka thënë një anëtar i kryesisë së Dhomës së mjekëve të Gjermanisë. Sipas tij duhet urgjentisht të gjendet një zgjidhje për kurset e gjermanishtes për mjekët në fjalë.

Më shumë se një e treta e mjekëve të huaj në Gjermani vijnë nga vendet e Evropës lindore, prej të cilëve më së shumti nga Rumania, 3000 sish, njofton NTV.