Integrimi

Steiner: Ballkanasit, ndër më të prekurit nga Ligji i ri për Natyralizimin

Propozimet e Komisionit për Politika Shtetërore e bëjnë më të vështirë natyralizimin për disa grupe njerëzish, ku bëjnë pjesë më shumë të huajt nga Ballkani

Në lidhje me qëndrimin që ka publikuar të hënën Komisioni Federal për Migracion (EKA) si reagim ndaj rishikimit të ligjit për të huajt dhe atij për natyralizim, albinfo.ch ka marrë mendimin zëvendësshefes së këtij komisioni, Elsbeth Steiner. Në intervistën e shkurtë për portalin tonë, znj. Steiner vë theksin në vështirësitë që pritet të krijohen me masat ashpërsuese që sjell ky rishikim. Nga numërimi i kategorive të të huajve që preken më shumë nga rishikimi mund të kuptohet se qytetarët me prejardhje nga Ballkani, dhe rrjedhimisht, shqiptarët, hyjnë në mesin e më të dëmtuarve. Por, Steiner thotë se janë edhe disa pika në të cilat ka përmirësime, dhe që vijnë si rezultat i rekomandimeve që ka bërë EKM.

Albinfo.ch: A mund të na e sqaroni, në ç`masë është rishikimi aktual i Ligjit për Natyralizimin në përputhje me rekomandimet që i ka dhënë Komisioni Federal për Migracion (EKM) lidhur me natyralizimin e të huajve?

Elsbeth Schneider: Këtu duhet të bëjmë një dallim në mes të Ligjit për natyralizimin dhe Ligjit për të Huajt dhe Integrimin. Sa i përket Ligjit për natyralizimin, ai merret me kushtet që duhen plotësuar për natyralizim, gjegjësisht për të fituar shtetësinë. Revizionimi (rishikimi) total i tij do të shqyrtohet tash në Dhomën Nacionale të Parlamentit të Zvicrës.

Ndërsa Ligji për të Huajt dhe integrimin, një rishikim i pjesshëm i tij, është miratuar tashmë, të premten e kaluar nga Këshilli Federal.

Tash, sa i përket ligjit për natyralizim, rishikimi që ka propozuar Këshilli Federal, sjell disa përmirësime duke iu referuar rekomandimeve të EKM. Ato përmirësime konsistojnë në harmonizimin e afateve të kantoneve dhe komunave në procedurën për natyralizim; të dyja nuk do të zgjasin më shumë se 3 vjet. Po ashtu edhe shkurtimi i kohës së nevojshme të qëndrimit në Zvicër për të fituar shtetësinë, nga 12 në 8 vjet është një përmirësim.

Nga ana tjetër, propozimet e Komisionit për Politika Shtetërore shkojnë në drejtim krejtësisht të kundërt, d.m.th. drejt ashpërsimit të kritereve për natyralizim. Dhe këto nuk janë në harmoni me rekomandimet e bëra nga EKM, siç mund të lexohet edhe në komunikatën tonë për shtyp, të lëshuar dje.

Albinfo.ch: Sa i prek, sipas qëndrimit tuaj, ky ligj i ashpërsuar qytetarët me prejardhje nga Ballkani, të cilët kanë qenë kandidatë potencialë për të fituar pasaportës së Zvicrës?

E. Steiner: Propozimet e Komisionit për Politika Shtetërore e bëjnë më të vështirë natyralizimin për këto grupe njerëzish: për të rinjtë, për faktin se tash e tutje vitet në mes të moshës 10 dhe 20 vjeçare nuk do të llogariten dyfish; Për personat në nevojë, të cilët nuk e kanë fituar të drejtën e azilit për faktin se me të renë, shtetësinë mund ta fitojnë vetëm personat që kanë tashmë Vizën C dhe për faktin se vitet me statusin e përkohshëm (F) nuk do të llogariten si vite qëndrimi të rregullt. Grup tjetër i njerëzve që do të dëmtohen është ai i shtetasve të vendeve të treta (jashtë BE-së), për arsyen se ata, sipas rregullit, e fitojnë më vonë Vizën C në krahasim me shtetasit e vendeve të Evropës perëndimore dhe veriore. Nga e gjithë kjo del se shumë nga ashpërsimet e përmendura godasin njerëzit nga Ballkani.

Albinfo.ch: Çfarë zhvillimesh, sa i përket politikës së natyralizimit ka aktualisht në vendet tjera perëndimore?

E. Steiner: Nuk i njoh në hollësi, mirëpo ajo që mund të thuhet është se askund nuk ka procedurë kaq të ndërlikuar (komuna, kantoni dhe federata) sikur në Zvicër. Po ashtu, shumica e vendeve parashohin një afat më të shkurtë për natyralizim. Askund nuk pritet për një status të tillë më shumë se 10 vjet.

Blerim Shabani