Integrimi

Stopohet përkohësisht dëbimi i kosovarëve

Nga ndalimi i dëbimit përfiton edhe një nënë vetushqyese e pesë fëmijëve. Kjo familje që jeton në Detmold është dashur të dëbohet më 21 shkurt në Kosovë

Autoritetet gjermane kanë stopuar përkohësisht grumbullimin e një numri të kosovarëve të planifikuar për dëbim.

Siç bën të ditur një zëdhënëse e ministrisë së brendshme të landit Nordrhein Westfallen (NRW) në Dyseldorf, më 21 shkurt është dashur të niset nga Shtutgarti në drejtim të Kosovës një aeroplan ku kishte persona të riatdhesuar edhe nga landi i përmendur .

Sipas të dhënave nga organizatat për mbrojtjen e refugjatëve, protestat kanë shkaktuar këtë stopim fluturimi. Ato thonë se në Ballkan në këtë kohë mbretërojnë temperatura dimërore dhe për këtë arsye riatdhesimi do të ishte i vështirë. Nga ndalimi i dëbimit përfiton edhe një nënë vetushqyese e pesë fëmijëve.

Kjo familje që jeton në Detmold  është dashur të dëbohet më 21 shkurt në Kosovë. Tash ajo mund të shpresojë që të kursehet së paku deri në përfundimin e vitit shkollor, thotë këshilltari i refugjatëve, Frank Gokel. Pastaj, familja do të “udhëtojë vullnetarisht”.

Por zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të NRW ka theksuar se në parim dëbimet gjatë stinës së dimrit nuk përjashtohen. Por megjithatë, merren parasysh personat me nevoja të veçanta , ka thënë ajo.