Shkurt.ch

Lirohet i akuzuari që lëndoi rëndë në sy një të ri me prejardhje kosovare

Deklaratat e avokatit të viktimës me prejardhje kosovare si dhe të prokurorit, lënë të kuptohet për pakënaqësi ndaj vendimit gjyqësor

Mediet zvicerane njoftojnë se personi përgjegjës për verbërim, me plumb pistolete, në dhjetor të vitit 2006, të një të riu zviceran me prejardhje kosovare nga qyteti Monthey, është dënuar dje me 18 muaj burgim me kusht, nga ana e Gjykatës në Valais.

Kjo e fundit ia ka mohuar të akuzuarit motivin e “mbrojtjes legjitime”, mirëpo gjykata po ashtu nuk e ka plotësuar kërkesën e prokurorit për dënim të të akuzuarit me dy vjet burgim, një prej të cilëve me kusht.

Epilogu i gjykimit ndaj personit përgjegjës (një skitar i njohur zviceran) për lëndimin e të riut kosovar nuk duket të ketë përfunduar. Deklaratat e avokatit të viktimës me prejardhje kosovare, Henri Carron si dhe të prokurorit André Morond, lënë të kuptohet për pakënaqësi ndaj vendimit gjyqësor. Mund pra të pasojnë  ankesa nga pala civile e viktimës si dhe nga prokurori ndaj këtij verdikti të gjykatës.

Incidentin në fjalë e pati pasuar, në janar të vitit 2007, afera e mediatizuar “Rachel”. Bëhet fjalë për incidentin e rëndë që pati ndodhur në po të njëjtin rajon, ku një e re zvicerane pati pësuar lëndime të rënda fizike në fytyrë nga pesë të rinj kosovarë dhe një vajzë portugeze. Në vjeshtën e vitit të kaluar, të rinjtë kosovarë, të akuzuar në këtë aferë, qenë dënuar me burgim.

Rachel dhe nëna e saj, kanë qenë po ashtu të përfshira në suazat e gjykimit të fundit në lidhje me autorin e verbërimit të të riut me prejardhje kosovare. Pala e viktimës e ka akuzuar Rachel dhe nënën e saj për dëshmi të pavërteta dhe trillime, mirëpo vendimi i djeshëm i gjykatës i ka liruar këto të fundit nga çdo akuzë.