Integrimi

10 vite të pavarësisë, në sytë e brezit të dytë të shqiptarëve të Zvicrës

Përmes bisedës me pesë pjesëtarë të brezit të dytë të shqiptarëve të Zvicrës me prejadhje nga Kosova, albinfo.ch sjell përjetimet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga perspektiva e tyre  

Qendresa, Fortesa, Erleta, Bekimi dhe Jetmira kujtojnë 17 shkurtin si një ditë të veçantë të jetës së tyre, të mbushur me plot emocione të një përjetimi që e kanë pritur e ëndërruar miliona shqiptarë.

Sot në këtë vit jubilar të pavarësisë së vendit, bashkëbiseduesit e albinfo.ch përfaqësojnë me dinjitet e krenari vendin e tyre në vendin që i kishte dhënë një mbështetje të fuqishme shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Zvicër.

Përmes bisedës me ta, albinfo.ch sjell përjetimet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga këndi i gjeneratës së dytë.

Bashkëbisedimi me ta është zhvilluar mbi bazë të këtyre pyetjeve: Çfarë ju sillet në mendje kur përmendet Kosova?; Ku keni qenë më 17 shkurt 2008 dhe si e keni përjetuar shpalljen e pavarësisë së Kosovë?; Sa ka ndryshuar Kosova sipas jush për këto 10 vite? Cilat janë arritjet apo dështimet që do ti veçonit në këtë vit jubilar?

Fortesa Mustafa, nëpunëse

Ajo punon si asistente ekzekutive në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Ka qenë vetëm 13 vjeçe kur Kosova po përjetonte një nga ditët më të madhërishme të historisë së saj. Ajo ka lindur më 21 shkurt 1994 në Kamenicë. Familja e saj ka emigruar në Zvicër, kur ajo kishte vetëm dy vjet. Ata ishin vendosur në Bellinzona dhe atje Fortesa ka mbaruar shkollimin fillor, gjimnazin në gjuhën italiane në drejtimin shkencat politike ndërsa studimet, në Universitetin e Cyrihut, drejtimi juridik, në gjuhën gjermane.

„Ditën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, isha e re, vetëm 13 vjeçe. Ishim me familje në Bellinzona dhe e kujtoj atë ditë feste të përcjellë edhe me dhembje. Emisionet televizive sillnin kronika mbi sakrificën dhe vuajtjet e popullit tonë në rrugën e gjatë të pavarësisë. Vuajtjet dhe mohimi i të drejtave ndaj popullit tonë, kanë qenë ndër arsyet që më kanë shtyrë ta studioja drejtësinë.

Kur përmendet Kosova, më sillet në mendje familja e gjerë sepse Kosova është vendi në të cilin kam lindur dhe kam origjinën. Atje jetojnë shumica e familjes sime.

Kosova kishte dalë nga një luftë e cila ka lënë pasoja jo vetëm ekonomike por edhe njerëzore. Por kosovarët e gjetën forcën për t’u ngritur dhe për të ndërtuar shtetin e tyre. Njëra nga arritjet është paqja dhe stabiliteti në rajon si dhe përmirërsimi i infrastrukturës dhe rritja ekonomike. Në anën tjetër, besoj se në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, Kosova ka ende shumë hapësirë për përmirësim.

Dua ta shfrytëzoj rastin të falënderoj shtetin zviceran për gjithë atë që bëri për ne, dhe të gjitha shtetet që dhanë kontribut të pashoq që ne të kemi mundësinë të festojmë 10 vjetorin e mëvetësisë sonë. Kudo që ka shqiptarë ua uroj 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës!

Qendresa Llugiqi, gazetare në „20 Minuten” 

Gazetarja shqiptaro-zvicerane që shkruan për mediumin e njohur zviceran „20 Minuten“, Qendresa Llugiqi, shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka përjetuar rrugëve të Bazelit. Ajo beson në pavarësinë e Kosovës, por mendon se vendi ka stagnuar shumë.

Qendresa e ka ende të freskët kujtimin e ditës kur është shpallur pavarësia e Kosovës: „Po kaloja një të diele të qetë me motrën rrugëve të qytetit duke diskutuar mundësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur për një moment u thye heshtja.
Qytetit i erdhi një forcë, u mbush plot jetë. Atë e bënë kosovarët. Bazeli u mbush me njerëz, me kerre, plot flamuj, kishte muzikë, plot zëra dhe lumturi. Atëherë e realizova se sa gjatë e kanë pritur shqiptarët këtë moment. Në ato momente unë isha bërë spektatore e një drame ku kisha luajtur edhe vetë në rolin e një fëmijeje.

Po shikoja ata njerëz të hareshëm dhe Kosova po më kujtonte „prehrin e nënës“; atje kisha parë botën për herë të parë me sy, para se të shpërnguleshim për Zvicër. Kosova për mua është si nëna, është kontakt i parë, kurse Zvicra është si babai, kontakti i dytë. Ngado që shkoj, kur kthehem në këto dy vende, jam thjesht Qendresa.

Vitet e para pas luftës por edhe pas shpalljes së pavarësisë, Qendresa kishte vërejtur shumë ndryshime pozive. „Mirëpo tre-katër vjetet e fundit, më duket që Kosova vetëm po sillet në një rreth. Faktikisht edhe po ndërtohet por ndërtimet nuk janë asgjë, kur toka që i mban ato nuk është stabile.

Dhe nga përvoja e di që kur punët nuk shkojnë si duhet, pa ndodhur diçka shumë e madhe (në shumicën e rasteve e keqe) për t`i këndellur njerëzit, ata nuk mund të ecin përpara. Kështu më duket gjendja në Kosovë.

Dështimi më i madh për mua është që kosovarët kane harruar shumë shpejt vitet e nënshtrimit dhe ëndrrën kosovare.

Lejojmë persona të ndryshëm ta ngrejnë veten më lart se mirëqenien e shtetit dhe popullit. E pranojmë korupsionin sikur të ishte zemra e shtetit tonë. A nuk po e shohim që po na dobëson çdo ditë e më shumë. Unë nuk e kuptoj si munden ca njerëz, të thonë se kanë luftuar, e t`i harrojnë lotët e vuajtjet e popullit kosovar ose të familjeve të tyre… si munden ta harrojnë gjakun që u derdh e viktimat që kanë rënë për të jetuar kosovarët sot të lirë. A nuk ju parafytyrohen gjitha këto ngjarje ndonjëherë?

Me këtë dështim lidhet edhe politika. Me vite i kemi të njëjtat probleme politike, kurse figurat e njëjta politike nuk ndërrojnë, pos pozitave e kostumeve.

Një dështim tjetër për mua është sistemi i edukimit. Nëse kërkon ta nënshtrosh një shtet dhe ta lësh pas, thjesht, dobësoja edukimin. Këtë rrugë kanë ndjekur të tjerët me herët me shqiptarët. Kurse tani kosovarët nuk bëjnë sa duhet për të krijuar gjenerata të forta nëpërmjet sistemit edukativ. Është fakt që kemi gjëra që patjetër duhet t`i ndryshojmë por megjithatë, pavarësia dhe zhvillimi i vendit janë evidente. Kur e krahason Kosovën me tjera shtete të reja, pas 10 viteve shtetësi ose pas një lufte, ne nuk kemi ngecur, ka shumë zhvillime pozitive, mirëpo na mbetet ende shumë punë për të bërë.

Bekim Zogaj, refer ndërkombëtar i futbollit

Bekim Zogaj, njihet si referi i parë shqiptar që ka arritur të ndajë drejtësinë si refer asistent në Super Ligën Zvicerane. Kurse së fundmi është gjithnjë e më shumë prezent në ndarjen e drejtësisë si refer asistent i FIFA-së në arenën ndërkombëtare. Ai punon 40% si refer profesionist dhe 60% si kontabilist. Zogaj është me prejardhje nga Prejlepi i Deçanit.

„Me Kosovën lidhen përjetimet e mia më të bukura. Kosova është vendlindja ime që nuk harrohet. Atje kam fëmijërinë time. Vendi ku mora mësimet e para, vendi ku kam shumë kujtime të mira. Tokë e shenjtë që ma kujton origjinën.

Dtiën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtin 2008, e kam përjetuar me shumë emocione pozitive në shtëpinë time në Zvicër. Ajo ditë më ka kaluar para ekraneve televizive.

Zhvillimi i Kosovës ka ngecur, por në infrastrukturë kanë punuar (edhe pse ka ende shumë punë) shumë mirë këto 10 vitet e fundit. Sa i përketë rrymës, ujit, strukturat e përgjithëshme duhet edne të punohet. Gjendja ekonomike është alarmante. Pa siguri, s`ka ekonomi. Në përgjithësi me duket gjendja aktuale shumë serioze, dhe jo stabile.

 

Jetmira Avdili, ish ushtare

Jetmira është ushtarakja e parë shqiptare në Zvicër, vajza simpatike e cila kishte bërë bujë në mediet zvicerane duke „e bërë shqiponjën“ gjatë shërbimit ushtarak në Zvicër. Ajo flet për Kosovën dhe lidhjen e saj me vendin, angazhimin e saj bamirës në Kosovë me projektin „Only 10 for a better Wold“ dhe mundësitë e Kosovës që të ishte më mirë sikur politikanët të tregoheshin më të ndërgjegjshëm.

Jetmira Avdili thotë: „Kur përmendet Kosova në dritën pozitive, mua më hapet zemra dhe gëzohem për çdo mendim të mirë ndaj Kosovës apo shqiptarëve“.

“Më duket se kam qenë në Bernë. Jashtë kishte muzikë, me makina dhe shumë njerëz. Ajo ndjenjë ka qenë e papërshkrueshme për ne”, thotë Jetmira tek kujton 17 shkurtin 2008.

Kosova ka ndryshuar dhe është modernizuar. Por për mendimin tim, me ata politikanë, tepër ngadalë. Në anën tjetër jam e lumtur qe ne “të jashtmit” kemi arritur por edhe shoh si detyrë për të dihmuar që Kosova të ecë përpara.

Unë ende e kam mendimin që politika e ka shkatërruar shumë Kosovën. Kjo më dhemb, sepse ata që kishin përgjegjësi për ta zhvilluar vendin, e kanë ngadalësuar rrugën e zhvillimit të një Kosovë më të mirë.

Erleta Shala, oficere

Oficerja zvicerane me rrënjë shqiptare nga Kosova, Erleta Shala ëndërronte gjithmonë një ditë të bëhej ushtarake. Si e vogël kishte dëshirë të bartte uniformën ushtarake dhe këtë ëndërr e bëri realitet në moshën 20-vjeçare.

„Jam inspiruar dhe nga lufta e Kosovës, ku si fëmijë kam ndier vuajtjet e gjeneratës sime atje. Dëshira ime ka qenë edhe të falënderoj shtetin zviceran duke shërbyer në ushtrinë zvicerane.

Zvicra ka bërë shumë për ne dhe e pyes veten disa herë se ku do të isha sot po të mos kishim pasur mbështetjen e shtetit zvicerian.

Ajo mban mend mirë datën kur është shpallur Pavarësia e Kosovës: „Kam qenë në Cyrih, kemi festuar të gjithë bashkë me shoqëri dhe familje. Ishte festë e madhe dhe një kujtim që s’do ta harrojë kurrë“.

Unë ndihem si në shtëpi kur shkoj në Kosovë dhe ndjehem shumë mirë sa herë që shkoj atje. Ua uroj të gjithë shqiptarëve të Kosovës pavarësinë. Le ta duan vendin e tyre. I porosis bashkëmoshatarët e mi të mos zhgënjehen dhe të mos presin vetëm nga shteti por edhe ata le të angazhohen për shtetin e tyre“.