Integrimi

Shaqiri dekorohet me “Gjerdanin e Diasporës” për vitin 2012

Adhuruesit e futbollistit më të mirë të Zvicrës, shqiptarit nga Kosova, Xherdan Shaqiri kishin zënë vend jashtë Hotelit Bellevue, në qendër të Bernës, ku mbahej solemniteti i ndarjes së çmimit “Diaspora”, për të përshëndetur dhe për të bërë foto me yllin e futbollit zviceran.

Edhe në hyrje, Xherdani u prit nga fansat e entuziazmuar dhe krenarë që po takohen me sportistin e tyre shumë të adhuruar.

Shaqiri asnjëherë nuk ka ngurruar për të dhënë autografe dhe fotografi për të vegjël edhe të rritur.

Po të ishte në fushë, edhe brohoritjet nuk do të kishin munguar për yllin e futbollit, Xherdan Shaqiri, i cili këtë herë nuk ishte ftuar të luante futboll por të dekorohej me çmimin që ndan për herë të dytë mërgata kosovare në Zvicër .

© albinfo.ch

Karakteristikë e kësaj paraqitje publike të Xherdanit në Bernë ishte shoqërimi i tij me tërë familjen Shaqiri.

Ai nuk ka hezituar këtë herë të ofronte edhe fotografi të familjes Shaqiri, që deri tani nuk kishim hasur në mediet zvicerane dhe shqiptare, ndonëse ishte shprehur gjithnjë mirënjohës ndaj familjes për suksesin e arritur.

Edhe brenda, në solemnitetin e organizuar, Xherdan Shaqiri nuk ishte vetëm në fokus të fotoreporterëve dhe gazetarëve por edhe të fansave të shumtë shqiptarë që kishin ardhur nga e tërë Zvicra për ta nderuar atë për suksesin e treguar në futboll.

Lirisht mund të themi se askush nuk mbeti pa u fotografuar me futbollistin e famshëm shqiptar Xherdan Shaqiri.

©albinfo.ch: Elina Duni

Më në fund erdhi momenti, mysafirët filluan të mblidhen rreth skenës, ku ceremoninë e ndarjes së shumëpritur të çmimit “Diaspora”për vitin 2012 e moderonte, xhaz këngëtarja e njohur shqiptare, Elina Duni.

Fjalimet i nisi ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Naim Malaj, që ka qenë ndër promotorët e këtij çmimi..

Ai ka thënë se mërgata kosovare ka vendosur këtë vit, çmimin e radhës t’ia ndajë njërit prej anëtarëve të saj më emblematik, sportistit Xherdan Shaqiri..

“Përmes sukseseve të tij, si futbollist në klubin e Baselit, por edhe në kuadër të ekipit kombëtar të Zvicrës, Xherdan Shaqiri është bërë flamurtar i gjeneratës së re të kosovarëve në Zvicër, një gjeneratë ambicioze, e guximshme, e integruar, shumë premtuese, dhe e cila gjithnjë e më shumë po zë vendin e saj në shoqërinë zvicerane” , ka deklaruar Malaj..

Diplomati kosovar ka thënë se shqiptarët janë integruar dhe aktiv jo vetëm në futboll por në të gjitha fushat të jetës në Zvicër..

“Xherdan Shaqiri është padyshim ambasadori ynë më i mirë në Zvicër, ashtu siç janë qindra të rinj kosovarë, sic janë Shaqiri, Xhaka, Mehmedi Behrami e Xhemaili, por që punojnë dhe dëshmojnë aftësitë e tyre në politikë, arsim, mjekësi dhe në shumë sektorë tjerë”, ka thënë ambasadori Malaj.

Ai me këtë rast ka falënderuar autoritetet zvicerane për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në favor të integrimit të kosovarëve në Zvicër..

© albinfo.ch

Edhe ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli tha të jetë lajm i mirë dekorimi me çmimin diaspora për futbollistin me prejardhje nga Gjilani.

“Suksesit të Xherdanit nuk i gëzohen vetëm kosovarët në Zvicër por edhe edhe ata në Kosovë”, ka deklaruar ministri Makolli.

Xherdan Shaqiri është vlerësuar si bartës i merituar i çmimit “Diaspora” edhe nga Hans-Peter Wessels, ministër në qeverinë kantonale të Baselit.

“Zemra e tij, siç thotë ai vetë është ndarë në gjysmë në mes të Kosovës dhe Zvicrës. Me qasjen e tij të drejtpërdrejtë, dhe mbi të gjitha të këndshme, ai është sigurisht një ambasador i përkryer për Kosovën”, ka theksuar zyrtari nga Baseli, qyteti prej nga vjen Shaqiri.

Deputetja kantonale e Lucernit, Ylfete Fanaj ka thënë të jetë krenare për një sportist të suksesshëm siç është Xherdan Shaqiri.

“Për sukseset e Xherdan Shaqirit nuk gëzohen vetëm rreth 200 mijë shqiptarë të Kosovës në Zvicër. Në atdheun e tij të dytë në Kosovë të gjithë e përmendin emrin e Shaqirit”, ka thënë politikania kosovare-zvicerane.

Pas një serie titujsh dhe çmimesh në një periudhë jo edhe të gjatë në Zvicër, vjen radha e dorëzimit edhe të një çmimi tjetër për Shaqirin.

Çmimi i dytë me radhë “Diaspora” si shenjë mirënjohjeje dhe respekti të mërgatës për sportistin e suksesshëm kosovar Xherdan Shqiri, e kishte fatin ta dorëzonte Leonora Citaku, një studente e ekonomisë.

Pasi mori trofeun, ylli i futbollit zviceran u shpreh shumë i emocionuar me çmimin dhe me gjithë vlerësimin që po i bëhet atij me këtë rast nga bashkatdhetarët e tij kosovarë .

Ai është shprehur i kënaqur që është bërë idhull për të rinjtë shqiptarë në diasporë, por kishte një porosi për zviceranët.

“Më vjen mirë që opinioni zviceran përmes meje, Xhakajve, Mehmedit e të tjerëve i njeh shqiptarët për të mirë e jo vetëm si të dhunshëm”, ka deklaruar para mysafirëve të mbledhur në këtë ceremoni Xherdan Shaqiri.

Për të nderuar Shaqirin në ceremoni ishin edhe futbollisti tjetër nga Kosova, Milaim Rama si dhe dy vëllezërit Ajeti nga Baseli, të cilët shumë shpejt do t`i shohim në Barcelonë.

Përveç urimeve për çmimin, Shaqirit i është dëshiruar suksese tjera edhe në skuadrën e njohur gjermane të futbollit Bayern, ku edhe vazhdon karrieren e një futbollisti të suksesshëm.

Shaqiri si futbollist i suksesshëm nderohet me këtë çmim për kontributin e dhënë në integrimin dhe krijimin e një imazhi më të mirë të Kosovës dhe kosovarëve në Zvicër.

Shaqiri, si laureat i çmimit “Diaspora” vjen i dyti pas ish-ministres së jashtme Micheline Calmy Rey.

Në vitin 2010 u promovua për herë të parë çmimi “Diaspora”, që mërgata e Kosovës në Zvicër ia dedikon një personaliteti të rëndësishëm zviceran ose kosovar, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë për Kosovën dhe kosovarët.

Çmimi i parë “Diaspora” iu dorëzua pastaj në vitin 2011, në një solemnitet zyrtar, ish presidentes dhe ministres së jashtme të Zvicrës, mikes së dëshmuar të Kosovës, zonjës Micheline Calmy Rey.

Foto galeri

.