Shkurt.ch

Maurer: Mos po e stimulojmë ardhjen e azilkërkuesve?

"Hapja e mundshme e qendrave të reja për strehimin e azilkërkuesve do të joshte edhe më shumë azilkërkuesit"

Problemi i mungesës së kapaciteteve për strehimin e azilkërkuesve është bërë ditëve të fundit temë e mprehtë debati në Zvicër. Së fundi në këtë debat është inkuadruar edhe ministri i mbrojtjes, Ueli Maurer. Ai ka tërhequr vërejtjen se hapja e mundshme e qendrave të reja për strehimin e azilkërkuesve do të joshte edhe më shumë azilkërkuesit që të vijnë në Zvicër. Me këtë deklaratë që e ka dhënë në magazinën informative 10vor10 Maurer ka ngjallur mospajtime jo vetëm në kampin e majtë.

“Unë nuk kam dëgjuar kurrë diçka të tillë, që një azilkërkues në Afrikë të niset për azil vetëm për faktin se e di se diku në Zvicër është një strehë e gatshme për të”, ka thënë deputeti nacional nga FDP-PLR Philipp Müller.

Ndërkaq Beat Meiner nga Schweizerische Flüchtlingshilfe dyshon se kjo deklaratë vjen si një manovrim i qëllimshëm politik nga kuzhina e SVP-UDC-së. Meiner ka thënë se Maurer do të duhej që përfundimisht t`i lironte disa kazerma që nuk përdoren më, për të strehuar azilkërkuesit.

Maurer ka thënë se departamenti i mbrojtjes ka shqyrtuar mbi 6000 shtretër nëse i plotësojnë kushtet për strehim të azilkërkuesve por ka ardhur në përfundim se nuk ka pothuaj fare vende të përshtatshme.