Intervista
Haliti: Kam lëshuar Zvicrën sepse kam dashur të bëj diçka për vendin tim
"Arsyeja kryesore e kthimit tim nga Zvicra nuk është politika por dëshira për të bërë diçka për qytetin tim dhe vendin tim”, thotë Enver Haliti, i cili udhëheq listën e kandidatëve të VV për asamblistë të Komunës së Ferizajt
Enver Haliti është i lindur në vitin 1977 në Ferizaj. Gjatë viteve të nëntëdhjeta ka jetuar dhe punuar për disa vite në Zvicër, në pjesën frankofone të saj, prej nga është kthyer për të jetuar dhe investuar në Kosovë, gjegjësisht në vendlindjen e tij. Tash Enveri, pas një përvoje në ekzekutivin e Komunës së Ferizajt, kandidon për asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, gjegjësisht kryeson listën e kandidatëve të saj për Asamblenë Komunale.
Albinfo.ch: Keni jetuar për një kohë në Zvicër. Përse vendosët që të ktheheshit në Kosovë dhe të merreni me politikë atje?
Enver Haliti: Edhe pse një kohë të gjatë merrem me politikë, arsyeja kryesore e kthimit tim nga Zvicra nuk është politika por dëshira për të bërë diçka për qytetin tim dhe vendin tim. Në vitin 2010 kam vendosur që së bashku me nipin tim Avni Beqiraj dhe disa partnerë zviceranë të hapim një fabrikë në Kosovë, gjegjësisht në Ferizaj e cila prodhon pjesë të mekanikës precize dhe i gjithë prodhimi eksportohet në tregun e Zvicrës dhe Evropës.
Duke parë se gjendja në komunën tonë vit pas viti vetëm sa përkeqësohej dhe mundësia e kontributit tim nga jashtë nuk kishte sukses vendosa që të bëhem pjesë e ekzekutivit komunal ku në vitin 2014 kam udhëhequr Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportin pastaj Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, ndërsa tani jam këshilltar komunal.
Albinfo.ch: Çfarë përfiton politika kosovare nga politikanët e ardhur nga jashtë si rasti juaj?
E. H.: Mendoj se kuadro me përvojë perëndimore i duhen më së shumti komunave dhe Kosovës në përgjithësi sepse kjo përvojë mund të bartet edhe në stafin lokal dhe do të ndikonte drejtëpërdrejtë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Komunat kanë nevojë shumë të madhe për përvoja perëndimore dhe njerëz të cilët janë treguar të suksesshëm në fusha të ndryshme mund kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve për kuadrot lokale.
Albinfo.ch: Ju jeni në krye të listës për asamblistë të VV në Komunën e Ferizajt. Si i shihni ju gjasat e listës tuaj në zgjedhjet e 22 tetorit?
E.H.: Si bartës i listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet komunale 2017 përfaqësoj një listë e cila ka në përbërje profesionistë të fushave të ndryshme dhe të dëshmuar si në biznese ashtu edhe në institucione publike. Në listën tonë kemi 17 kandidate të gjinisë femrore gjë që është një vlerë e listës sonë e cila i konkuron të gjitha partive tjera politike.
Albinfo.ch: Çfarë mund të ofroni në mënyrë më specifike ju si kuadër nga diaspora që do të ju dallonte nga kandidatët tjerë?
E.H.: Përvoja ime menaxhuese si në Kosovë ashtu edhë në Zvicër mendoj se është një bagazh të cilin e posedoj, kultura e punës, njohja e gjuhëve të huaja etj.
Albinfo.ch: Na i numëroni 3 probleme kryesore në Ferizaj, zgjidhja e të cilave varet nga pushteti lokal e që pushtetarët e deritashëm nuk i kanë zgjidhur? Po ashtu na thuani se cilat janë zgjidhjet që ju si VV i propozoni për ato probleme.
E.H.: Komuna e Ferizajt ka një mori problemesh në shumë fusha, mirëpo si më kryesoret janë Arsimi, Shëndetësia dhe Urbanizmi duke mos përjashtuar edhe Kulturën, Sportin dhe Administratën. Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj garon në këto zgjedhje me një Plan Program të përgatitur nga ekspertë të fushave të ndryshme si brenda Lëvizjes Vetëvendosje e po ashtu edhe ekspertë të jashtëm.
Arsimin së pari duhet ta de-partizojmë sepse është mjaft i politizuar, ngritja e cilësisë në arsim, investimi në kabinete për Kimi, Biologji, Fizikë, renovimi i shkollave, këndet e leximit, dollape për libra etj. Në shëndetësi do të ketë furnizim të rregullt me barna dhe paisje mjekësore, ndërtimi i qendrave të mjekësisë familjare në fshatra, renovimi i qendrave ekzistuese. Kontrolla sistematike mjekësore e stomatologjike në shkolla me qëllim të preventivës. Urbanizmi do të ketë vëmendje të veçantë sepse komuna e Ferizajt në aspektin urban ka pasur një regres të madh ose më mirë mund të them një degradim të skajshëm pasi që kemi shumë ndërtime pa leje dhe pa përfillje të planeve urbane në fuqi. Së pari duhet ta themelojmë Drejtorinë e Inspeksionit, hartimin e Hartës Zonale të komunës, legalizimi i objekteve pa leje sipas ligjit të legalizimit, publikimi i të gjitha lejeve të ndërtimit në web-faqen e komunës, rigjenerimin urban lagje për lagje etj.
Albinfo.ch: Zgjedhjet nacionale që u mbajtën në qershor e nxorën VV si subjektin më të fuqishëm më vend. Rrjedhimisht kjo votë ka ngritur fuqinë VV edhe nëpër komuna dhe gjithsesi, edhe në Ferizaj. A pritni qe kjo te reflektohet edhe ne nivel lokal?
E.H.: Po zgjedhjet e 11 qershorit ishin një referendum nëse mund të them sepse treguan se qytetarët dijnë të ndëshkojnë politikantët e pandërgjegjshëm dhe mashtrues. Lëvizja Vetëvendosje doli e para edhe në Ferizaj duke lënë shumë mbrapa dy kolicionet dhe në këtë mënyrë treguan një pjekuri politike dhe një vlerësim për konsistencën e Vetëvendosjen si në nivel qendror e poashtu edhe lokal në komunën e Prishtinës të udhëhequr nga Shpend Ahmeti e cila është bërë model në gjithë Kosovën për qeverisje të mirë.
Albinfo.ch: Në rast se VV në Ferizaj nuk e fiton shumicën në raundin e parë, me cilin kandidat/parti pritni se do të jeni në balotazh?
E.H.: Qytetarët e Ferizajt kanë dëshmuar me 11 qershor se e kanë ndarë mendjen dhe kanë treguar që janë të vendosur që të ndëshkojnë partitë të cilat kanë qeverisur me Ferizajn. Ne besojmë se do të dalim fitues dhe do të qeverisim me komunën e Ferizajt pa marrë parasysh a do të dalim fitues që në raundin e parë apo në balotazh, pak rëndësi ka kush do të jetë.
Të tjera nga Intervista
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës