Shkurt.ch

Fati i Jura-s i lihet votës së popullit

49 komunat krahas Kantonit Jura, vendosin në të ardhmen nëse duan t`i bashkohen Jura-s apo të mbeten me Bernën

Bisedimet e paralajmëruara për të hënën (dje) rreth fatit të tre rretheve të regjionit Jura që bëjnë pjesë në Kantonin e Bernës, kanë përfunduar me sukses. Këto rrethe që përfshijnë në vete 49 komuna frankofone , krahas Kantonit Jura, mund të vendosin në të ardhmen nëse duan t`i bashkohen kantonit Jura apo të mbeten me Bernën.

 

Këtë mund ta bëjnë qytetarët e atjeshëm përmes referendumit, kanë vendosur përfaqësuesit e dy kantoneve dhe ata të federatës.

 

Konkretisht kjo do të dukej kështu: nëse të dyja palët, (dmth. Kantoni Jura dhe bashkësia e rretheve të Jurës së Bernës)  thonë Po, atëherë gjithçka shkon sipas procedurës së rregullt. Pra, themelohet kantoni i ri i përbashkët. Por nëse njëra palë thotë Jo, atëherë formimi i kantonit të ri si tërësi (rritja e kantonit Jura me 3 rrethe të reja) hiqet nga rendi i ditës.

 

Mirëpo, edhe pas një rasti të tillë, komunat e Jura-s që bëjnë pjesë në Kantonin e Bernës do të mund të përcaktohen veç e veç, me referendum për bashkimin e tyre me kantonin Jura ose për mbetjen me kantonin e Bernës.