Shkurt.ch

Sommaruga i tërheq vërejtjen Daciçit për azilkërkuesit nga Serbia

"Grupe kriminale nga Serbia janë veçanërisht aktive në tregtinë ilegale me drogë por është në rritje edhe trafikimi me qenie njerëzore"

Ministrja zvicerane e drejtësisë, Simonetta Sommaruga ka pritur sot në një vizitë pune ministrin e brendshëm të Serbisë, Ivica Daciç.

Në qendër të takimit në mes të dy ministrave kanë qenë zhvillimet aktuale lidhur me kërkesat e shtuara për azil në Zvicër të shtetasve të Serbisë. Në dy vitet e fundit Serbia ka qenë në vendin e katërt në listën e vendeve prej të cilave kërkohet azil në Zvicër. Kjo po ndodh përkundër faktit se Serbia nga viti 2009 vlerësohet si shtet i sigurt dhe për këtë arsye vetëm 1 për qind e azilkërkuesve nga ky vend fitojnë azilin, shkruan swissinfo.ch.

Shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil të shtetasve serbë në Zvicër është shënuar nga viti 2009 kur Serbisë i qe hequr regjimi i vizave. Ndërkaq, rreth 80% të azilkërkuesve nga Serbia janë pjesëtarë të grupit etnik të romëve.

Dy homologët kanë theksuar se duhet përforcuar bashkëpunimi në fushë të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. Grupe kriminale nga Serbia janë veçanërisht aktive në tregtinë ilegale me drogë por është në rritje edhe trafikimi me qenie njerëzore. Për këtë arsye, shihet i domosdoshëm bashkëpunimi në mes të dy policive.