Shkurt.ch

Kosovari del lakuriq në rrugë, vdes në krahët e policisë

Pasi kishte demoluar banesën, kishte dalë në rrugë dhe po vraponte lakuriq në rrugën automobilistike

Një kosovar i moshës 31 vjeçare ka vdekur në krahët e policisë. Ai më parë kishte demoluar banesën e vet dhe pastaj kishte dalë në rrugë dhe po vraponte lakuriq. Shkaku i vdekjes së tij nuk dihet akoma.

Në orën 02.17 të të dielës, pas mesnatës, policia e Magdeburgut merr një njoftim për prishje të qetësisë, shkruan magdeburgersonntag. Fqinjët kishin parë se një fqinj i tyre po e demolonte banesën e tij. Pas pak, policët panë në rrugën ku qarkullojnë automjetet një person mashkull që po vraponte krejtësisht lakuriq dhe pa orientim.

Në këto rrethana ata e panë veten të detyruar ta ndalonin. E mbështollën me një batanije dhe deshën të pritnin deri sa të vinte mjeku i emergjencës. Por, në pritje e sipër, 31 vjeçari humbi vetëdijen dhe vdiq pasi e vendosën në autoambulancë.

Në ekspertizën e parë, mjekët ligjorë nuk qenë në gjendje të konstatonin nëse vdekja kishte ardhur si pasojë e ndonjë veprimi të dënueshëm. Ndërkohë është caktuar kryerja e obduksionit.