Shkurt.ch

Gjykohet shoferi serb, për aksidentin me 6 të vdekur

Goditja pati përfundim fatal për 6 persona: katër kosovarë, një serb dhe një austriak

Para dy vitesh, në një aksident të rëndë që kishte ndodhur në Austri, kishin humbur jetën gjashtë veta dhe kishin pësuar lëndime të rënda 36 të tjerë, të gjithë udhëtarë të një autobusi me kosovarë.

Të martën do të zhvillohet gjykimi në Gjykatën e landit, në Vjenë, kundër shoferit të autobusit, një serbi 57 vjeçar, që konsiderohet të jetë fajtor për aksidentin e rëndë. Akuza e ngarkon të lartpërmendurin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm nga pakujdesia, për çfarë, nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me deri në tre vjet burg.

Në aksidentin e ndodhur më 21 shkurt 2010 në Gaaden ishin ndeshur dy kamionë dhe një autobus. Njëri nga kamionët kishte goditur me gjithë fuqinë autobusin në të cilin ishin 40 veta, shumica kosovarë. Kjo goditje pati përfundim fatal për 6 persona: katër kosovarë, një serb dhe një austriak. Shoferit të autobusit i ngarkohet faji se nuk ka mbajtur distancën e duhur me kamionët.

Në gjykimin që fillon të martën janë ftuar disa ekspertë të lëmit dhe shtatë dëshmitarë.

Shoferi i autobusit deri më tash kishte evituar përballjen me gjykatën duke thënë se gjendja shëndetësore nuk ia mundësonte një gjë të tillë, por kishte pranuar që procesi të zhvillohej ehde pa praninë e tij. Tash së fudi, ai megjithatë ka pranuar të paraqitet në gjyq.