Shkurt.ch

Sommaruga: Të huajt, të mësojnë gjuhët e vendit

"Integrimin nuk mund ta detyrojmë, por sa i përket detyrimit për mësimin e gjuhës, duhet shtrënguar vidat"

“Kush dëshiron të jetojë në Zvicër, duhet të njohë kulturën e vendit dhe të zotërojë së pakun njërën nga gjuhët e këtushme”, ka thënë ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga në emisionin e djeshëm “Samstagrundschau” të radios DRS.

Ajo ka shtuar më tutje se “integrimin nuk mund ta detyrojmë, por sa i përket detyrimit për mësimin e gjuhës, duhet shtrënguar vidat paksa”. Po kjo vlen, sipas ministres, edhe për menaxherët e lartë me prejardhje të huaj që jetojnë në Zvicër dhe për familjarët e tyre. Këta të fundit, ka thënë Sommaruga, po ndërtojnë aty-këtu shoqëri paralele që bien ndesh me traditat zvicerane.

Ministrja e drejtësisë megjithatë ka njohur meritat dhe rëndësinë e të huajve në Zvicër. “Në bujqësi dhe në spitale nuk do të funksiononte asgjë pa fuqinë e huaj punëtore”, ka thënë ajo.