Shkurt.ch

Banka e Shqipërisë organizon ankand për bonot e thesarit

Banka e Shqipërisë pritet të organizojë për llogari të Qeverisë një ankand të madh për shitjen e bonove të thesarit njëvjeçarw, një ankand që do të tregojë se deri në çfarë shkalle shkon fuqia përcaktuese e bankave në interesat e borxhit dhe sa mund të jetë efekti i politikës monetare të zbutur.

Ankandi synon të tërheqë 12.3 miliardë lekë borxh të brendshëm (rreth 123 milionë dollarë) me afat maturimi 12 muaj si dhe 3.4 miliardë lekë të tjera me afat maturimi 3 muaj. Në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në 10 janar, u emetuan 10 miliardë lekë bono 12-mujore me interes mesatar prej 7.11 për qind. Banka e Shqipërisë e uli normën bazë të interesit të lekut në 4.5 për qind më 25 janar dhe ky është ankandi i parë pas uljes së interest, raporton TCH.

Në dy ankandet e fundit, interesat e bonove të thesarit kanë shënuar rritje të papritur dhe lëvizje në krah të kundërt me politikën monetare, e cila synonte uljen e interesave. Rritja e interesave iu dedikua dominimit të disa bankave kryesore në tregun e bonove të thesarit si dhe fuqisë përcaktuese të këtyre bankave në tregun e borxhit të brendshëm.

Nga ana tjetër, Qeveria ka emetuar shumë bono me afat maturimi 3-mujor gjatë vitit të kaluar, në mënyrë që të përfitonte nga interesat më të ulëta, por kjo gjë ka bërë që t’i drejtohet më shpesh bankave.

Dominimi i bankave në tregun e borxhit të brendshëm u krijua gjatë kohës kur bankat qenë nën pronësi publike dhe investimet te bonot e thesarit shërbenin si një subvencion i fshehtë për bankat.

Kjo situatë ka vijuar edhe pas privatizimit të bankave, kryesisht si pasojë e shkallës së ulët të liberalizimit të këtij tregu. Bankat kanë hyrë një herë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës për shkelje të mundshme të ligjit “Për konkurrencën”, por një vendim final nuk u mor, për shkak të situatës së komplikuar nga roli i Ministrisë së Financave./TCH/