Shkurt.ch

Zvicra rehabiliton “fajtorët” që kanë strehuar viktimat e nazizmit

Me rehabilitimet e kryera, është përpunuar një pjesë e rëndësishme e historisë së Zvicrës

Zvicra, ndonëse vend neutral, ende nuk i ka qëruar plotësisht hesapet me Luftën e Dytë Botërore!Përkatësisht, me pasojat e saj.

Një komision i ashtuquajtur, “i rehabilitimit” përfundon mandatin e tij në fund të vitit 2011.

Ai ka rehabilituar para ligjit 137 zviceranë të cilët gjatë kohës së sundimit të nazizmit në Gjermani (1938-1945) u kishin mundësuar të ikurve nga Gjermania strehimin në Zvicër. Për këtë veprim të tyre ata ishin dënuar nga gjyqet zvicerane, për shkelje të ligjit!

Komisioni i rehabilitimit është themeluar në vitin 2004 dhe puna e tij ka rëndësi të madhe, në veçanti për familjarët e personave dikur të dënuar. Ata përballeshin me paragjykime si familjarë të shkelësve të ligjit, ndërkohë që prindërit e tyre kishin bërë vepra humane duke shpëtuar kundërshtarët e nazizmit.

Shumë raste të tilla nuk kanë qenë fare të njohura ose kanë rënë në harresë, kanë thënë anëtarët e komisionit në përmbyllje të punës së tyre. Me rehabilitimet e kryera, sipas tyre, është përpunuar një pjesë e rëndësishme e historisë së Zvicrës.