Integrimi

Anxhela Martini dhe Patrik Nuo, ndër më të “gogluarit”

Çfarë „google"-ojnë më së shumti zviceranët? Kosova, Angela Martini e Patrick Nuo, në mesin e më të kërkuarve me google.ch

Makina më e njohur kërkuese në internet, google, bën për çdo fund viti bilancin për konceptet, nocionet ose objektet e kërkuara më së shpeshti përmes saj. Google.ch, që d.m.th. botimi zviceran i kësaj makine ka zbuluar se fjala ose nocioni më i “google”-uar nga “gogluesit” zviceranë ka qenë “Apple”.

Kjo mund të ketë lidhje me risitë teknologjike që ka hedhur në treg kolosi amerikan i kompjuterëve me këtë emër, dhe, me siguri, edhe me vdekjen e shefit të saj, Steve Jobs para 2 muajsh.

Edhe tri konceptet tjera me radhë i takojnë fushës së teknikës kompjuteristike, si: YouTube, Iphone 5 dhe facebook.

Ndërsa koncepti i pestë i kërkuar më së shumti me google nga banorët e kompjuterizuar të Zvicrës është, merreni me mend: Kosova! (gjegjësisht: Kosovo). Pas Kosovës vjen DSK, pastaj Fukushima dhe më tutje Real Madrid.

Se si ka ardhur Kosova në rang me konceptet kompjuterike të tipit Apple, Facebook etj. është deri diku e habitshme, por nga ana tjetër, emri i Kosovës është lakuar vërtetë shumë nga mediet e ndryshme të Zvicrës gjatë vitit që po shkon. Me konotacion negativ, të shumtën, ç`është e vërteta, veç disa përjashtimeve të tipit Shaqiri &CO.

Shkojmë më tutje.

Në listën e personaliteteve zvicerane më të kërkuara me google nga zviceranët (ose nga ata që gjatë vitit 2011 kanë qëlluar në Zvicër) janë sërish dy shqiptarë. Modelistja shkodrane-cyriho-njujorkeze, Angela Martini është në vendin e tretë, menjëherë pas tenistit Federer dhe reperit Bligg.

Veç me bukurinë dhe elegancën e saj pamohueshmne, Anxhela (shqip) Martini do ta ketë ndihmuar pak googlimin e emrit të saj edhe me “harresën” e saj tashmë legjendare për të veshur të brendshmet… Por, me ose pa harresë, ajo që llogaritet në fund,  është suksesi. Dhe klikimi në google! Ky është leksioni që ka mësuar Angela jonë nga bota e larme e show-bussines-it.

Ndërkaq, befasitë nuk përfundojnë këtu. I katërti në këtë listë, menjëherë pas Anxhelës është sërish shqiptar. Shqiptaro-zviceran, për të qenë më të saktë. Fjala është për këngëtarin e njohur Patrick Nuo, të popullarizuar gjatë vitit të fundit edhe si anëtar jurie në spektaklin gjerman DSDS.

Llogaritur me “metoda” rreptësisht statistikore, i bie se shqiptarët, me këta dy përfaqësues eminentë, zënë rreth një të katërtën e kreut të listës së më të klikuarve. Gjë që nuk është aspak keq.

Angela Martini hyn edhe në një konkurrencë tjetër. Ajo radhitet në mesin e 10 personave, për të cilët kërkesa në google është rritur më së shpejti. Këtu modlelja jonë duhet të kënaqet me vendin modest, të shtatë. Por, shoqëria në të cilën ajo është gjetur, është mjaft interesante dhe e nivelit botëror. DSK është i pari, dy prominentë tashmë të vdekur; Amy Winehause dhe Steve Jobs janë në pozitën dy gjegjësisht tre. Pastaj vijnë Adele, Kate Middleton, Fernanda Brandao etj.