Feja

“Ruajuni nga ekstremizmi”

“Ekstremizmi nuk do të tolerohet nga Bashkësisë Islame Shqiptare”, ka thënë imami shqiptar në Zvicër, Rehan Neziri për “Kreuzlinger Zeitung“

Rehan Neziri, imami në Bashkësinë Shqiptare Islame të Kreuzlingenit, në një intervistë për gazetën lokale të këtij qyteti „Kreuzlinger Zeitung“ u është përgjigjur kritikëve që akuzojnë islamin për mungesë tolerance. Imami Neziri ka folur edhe për denoncimet që i bëhen barazisë së mangët midis mashkullit dhe femrës, cenimi i të drejtave të njeriut si dhe presioni ndaj pjesëtarëve të feve të tjera në shumë vende myslimane. “Ekstremizmi nuk do të tolerohet e as nuk do të mbështetet nga ana e Bashkësisë Islame Shqiptare”, ka thënë pos tjerash në këtë intervistë imami që njihet me qëndrime libelare, në Zvicër, Rehan Neziri. Në vijim do të lexoni intervistën e plotë të imamit Neziri dhënë gazetës „Kreuzlinger Zeitung“.

Kreuzlinger Zeitung: Ju njiheni si një imam me qëndrime liberale. A ju pengon fakti që vazhdimisht po ju adresojnë në fenomenet negative të Islamit si islamizmi, terrorizmi dhe mungesa e dëshirës për t’u integruar?

Rehan Neziri: Të gjithë imamët që i njoh unë këtu në Zvicër kanë qëndrime të njëjta liberale. Këtë mësim ne e nxjerrim nga vetë feja islame. Bashkësinë myslimane, Kur’ani e quan “bashkësi e së mesmes”. Sa i takon pyetjes suaj. Po, më pengon fakti që vazhdimisht detyrohemi të mbrohemi, vazhdimisht detyrohemi të themi se çfarë ne nuk jemi, vazhdimisht t’i bindim të tjerët për ne dhe vazhdimisht të detyrohemi ta dëshmojmë vullnetin tonë për paqe e bashkëjetesë.

Kreuzlinger Zeitung: Sipas mendimit Tuaj, ku qëndron arsyeja që bashkëqytetarëve myslimanë shpesh u ngjishet mungesa e dëshirës për t’u integruar? Pjesëtarët e bashkësive të tjera fetare shumë më rrallë u nënshtrohen këtyre akuzave.

Rehan Neziri: E njëjta gjë më parë këtu ka ndodhur me italianët dhe spanjollët e sidomos me çifutët. Sot myslimanët janë ata që shihen si qytetarë që nuk duan apo që nuk janë të aftë për t’u integruar. Myslimanët nuk kanë ardhur dje në Zvicër. Ata janë këtu qe afro 40 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe ata e kanë ndërtuar Zvicrën bashkë me të tjerët. Sidomos para sulmeve terroriste të 11 shtatorit mbi Qendrën Tregtare Botërore ata nuk njiheshin si myslimanë, porse si shqiptarë, arabë, turq etj. Menjëherë pas 11/9 ata filluan të konsideroheshin përnjëherësh si problematikë, të rrezikshëm për sigurinë në Zvicër, të paaftë për t’u integruar…

Kreuzlinger Zeitung: Çfarë qëndrimi keni lidhur me barazinë midis mashkullit dhe femrës? Çfarë i mësoni nxënësit e shkollave fillore këtu në Kreuzlingen lidhur me këtë çështje?

Rehan Neziri: Në Islam, burri dhe gruaja kanë të drejta të barabarta. Sipas Kur’anit ata janë “mbulesë për njëri-tjetrin”, janë komplementarë ndër të njëjtët, e plotësojnë njëri-tjetrin. Këtë mësim të Islamit ua përcjelli edhe nxënësve të mi në Kreuzlingen.

Kreuzlinger Zeitung: A do të kishit rekomanduar që këtu në Zvicër krahas së drejtës zvicerane të zbatohet edhe sheriati islam? Si një sistem plotësues ose i barasvlershëm?

Rehan Neziri: Jo. Ne nuk rekomandojmë ndonjë sistem juridik paralel. Këtu në Zvicër ne e gëzojmë të drejtën që Islamin ta ushtrojmë në nivelin tonë individual dhe në bashkësi. Sistemi i së drejtës zvicerane, si një shtet shekullar që është, këtë mundësi nuk na ofron vetëm ne muslimanëve, porse edhe feve të tjera. Liria e mendimit dhe e besimit është e garantuar me kushtetutën federale të Zvicrës dhe ne e çmojmë lartë këtë.

Kreuzlinger Zeitung: A ka ndodhur ndonjëherë që ndonjë banor mysliman nga Kreuzlingeni ta ketë martuar vajzën e vet me dhunë? Nëse ndodh ndonjë rast i këtillë, si do të kishit reaguar Ju?

Rehan Neziri: Qe nëntë vjet sa jam imam këtu në Kreuzlingen, nuk kam dëgjuar për ndonjë rast të këtillë. Sikur të ndodhë ndonjë gjë e këtillë, unë do të isha angazhuar kundër saj, thjesht nga arsyeja se kjo bie ndesh me mësimet islame. Një herë një vajzë erdhi te Pejgamberi Muhammed dhe e njoftoi se babai i saj e kishte martuar atë me një burrë përkundër vullnetit të saj. Me këtë rast, Pejgamberi e la atë të lirë të vendoste e të zgjidhte. Atëherë ajo tha: “Unë pajtohem me atë që ka bërë babai im, mirëpo desha t’u tregoj femrave se baballarët nuk kanë të drejtën e vendosjes në këtë çështje, pa vullnetin e tyre”.

Kreuzlinger Zeitung: Në pjesë të caktuara të botës islame mbizotëron një armiqësi kundër të krishterëve. Çfarë mendoni Ju, nga buron kjo armiqësi?

Rehan Neziri: Islami ne myslimanëve na fton në dialog në formën më të bukur sidomos me “njerëzit e librit” (hebrenjtë dhe të krishterët). Askund në Kur’an apo në sunnet, pra në fjalët dhe praktikën e Pejgamberit Muhammed, nuk bëhet thirrje për ushtrim armiqësie ndaj pjesëtarëve të feve të tjera vetëm për shkak të besimit ndryshe që e kanë. Kjo do të kishte rënë ndesh me thelbin e mësimit islam se nuk ka dhunë në besim. Tani, sa i takon çështjes së armiqësisë ndaj të krishterëve në pjesë të caktuara të botës islame: ata që e ushtrojnë këtë bëjnë ngatërrimin midis krishterimit ose “të qenit i krishterë” me agresionin dhe eksploatimin e burimeve të tyre nga ana e shteteve “krishtere”. Nga ana tjetër, jo të gjitha konfliktet myslimane-krishtere janë të motivuara nga feja. Pas tyre fshihen edhe arsye politike dhe ekonomike ose edhe kujtime nga e kaluara. Ne e dënojmë çdo lloj dhune, në veçanti dhunën që ushtrohet në emër të Zotit ose të fesë.

Kreuzlinger Zeitung: Nëse dikush ju akuzon duke thënë se bota islame nga aspekti shpirtëror akoma gjendet në mesjetë sesa në botën moderne, si do të ishit përgjigjur?

Rehan Neziri: Prapambetja e botës islame në aspektin teknologjik dhe shkencor është më se e qartë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se edhe në aspektin shpirtëror, etik, kulturor, filozofik… është e prapambetur. Në këtë aspekt ajo është thjesht ndryshe. Për më tepër, fjala “mesjetë” për muslimanët dhe historinë e tyre nënkupton të kundërtën e “mesjetës” në Perëndim.

Kreuzlinger Zeitung: Ju keni thënë se për ju vlen kushtetuta federale e Zvicrës. A mund të themi sipas kësaj se “ekstremistët nuk kanë vend në bashkësitë myslimane në Kreuzlingen”?

Rehan Neziri: Ne si Bashkësi Islame Shqiptare, po edhe Bashkësia Islame Turke këtu në Kreuzlingen jemi të organizuara si shoqata dhe kemi statutet tona, ku qartë thuhet: “Ekstremizmi apo fanatizmi i çdo lloji as nuk do të tolerohet e as nuk do të mbështetet nga ana e Bashkësisë Islame Shqiptare” (shiko: www.el-hikmeh.net). Vetë Pejgamberi Muhammed na ka mësuar: “Ruajuni nga ekstremizmi (teprimi në fe), sepse përpara jush ka pasur popuj që janë zhdukur për shkak të ekstremizmit të tyre!”.