Integrimi
Shqiptarët e Zvicrës, Pro et Contra “Shqiptarëve të mirë”
Filmi dokumentar “Shqiptarët e mirë, shembuj integrimi të suksesshëm”, i emetuar në televizionin publik zviceran, ka bërë një jehonë të konsiderueshme në mesin e shikuesve, zviceranë dhe shqiptarë. Lidhur me shkrimet e botuara në portale të ndryshme rreth dokumentarit, ka pasur numër të madh komentesh dhe reagimesh, në forumet përkatëse të lexuesve.
Vetëm në njërin nga këto forume, pak orë pas publikimit të një shkrimi, ishin publikuar tashmë rreth 130 komente – shumica negative – nga lexues zviceranë. Këto komente e përforcojnë bindjen se paragjykimet për shqiptarët i kanë rrënjët thellë dhe një emision, sado me qëllim të mirë, nuk mjafton për të ndryshuar gjendjen.
Për të fituar një pasqyrë rreth prizmit nga i cili e shikojnë shqiptarët temën që ka trajtuar dokumentari, Albinfo.ch ka marrë mendimet e disa shqiptarëve të Zvicrës.
Enver Robelli, redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Tages Anzeiger” dhe gazetar i të përditshmes gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e shikon me pozitivitet dokumentarin, por ka edhe rezervat e tij për aspekte të caktuara të tij.
“Filmi për „shqiptarët e mirë“ është në vazhdën e kontributeve publicistike që shfaqen apo botohen në mediet zvicerane për pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Zvicër. Në shtator të vitit 2007 në shtojcën DAS MAGAZIN të gazetës Tages Anzeiger u patën portretuar disa shqiptarë të integruar dhe të arsimuar në Zvicër. Më vonë edhe media të tjera i kanë portretuar kryesisht personat e njëjtë. Në këtë frymë është xhiruar edhe filmi „Shqiptarët e mirë“, që u emetua në televizionin publik të Zvicrës të enjten.
Mendoj se autori me kujdes i është afruar komunitetit shqiptar, duke portretuar protagonistët dhe duke skicuar shpeshherë në mënyrë të shkathtë rrugëtimin e tyre drejt suksesit. Kjo rrugë drejt suksesit nuk ka qenë e shtruar me lule, kur dihet injoranca e autoriteteve zvicerane ndaj çështjes së integrimit”, thotë Robelli.
Ndërsa, duke u fokusuar në segmente të caktuara të filmit, ai thotë se ka çfarë t`i shtohet dhe t`i hiqet atij.
“Sa i përket filmit: së pari mua më duket paksa e njëanshme përzgjedhja e personave nga komuniteti shqiptar. Një shqiptar i suksesshëm është edhe një punëtor ndërtimtarie, i cili i qëndron besnik punëdhënësit dhe njëkohësisht angazhohet në jetën sociale në komunën e tij, qoftë në sport apo në shoqata të ndryshme. Një i tillë do ta kishte plotësuar filmin “Shqiptarët e mirë”.
Ndikimin eventual të këtij filmi për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër, Robelli e sheh me skepticizëm. “Nuk besoj se filmi apo mediet me raporte mund të ndryshojnë imazhin e keq të shqiptarëve. Se çfarë atmosfere raciste mbretëron në disa shtresa të shoqërisë zvicerane veçanërisht kundër shqiptarëve, e tregoi njëri prej “zviceranëve të thjeshtë”, i cili në filmin “Shqiptarët e mirë” thotë se “shqiptarët e kanë dhunën në gjak”. Kush i shpjegon deliktet e pamohueshme të disa shqiptarëve, me gjak e prejardhje, ai përfundimisht nuk ka sens për realitetin. Madje ekziston rreziku që filmi, absolutisht pa dashjen e autorit, te qarqet ksenofobe të përçojë edhe këtë mesazh: shumica e shqiptarëve janë të dhunshëm, por ja, aty-këtu, ka edhe ndonjë të suksesshëm”.
Për Sabri Aliun, punëtor social dhe aktivist në komunitetin shqiptar, filmi “Shqiptarët e mirë” ishte për çdo lëvdatë. “I shkëlqyeshëm”, thotë Sabriu, i pyetur për dokumentarin. Ndërsa ai shprehet i bindur edhe për ndikimin pozitiv që ky film mund të ketë te zviceranët: “Besoj se po. Dhe duhet thënë se ka edhe shumë shqiptarë tjerë, të tillë që kontribuojnë për këtë shtet por ata nuk po duken. Vetëm gjërat negative po duken, për fat të keq”.
Ndryshe mendon Lindita Aliu, me profesion nëpunëse, po kështu aktive në jetën shoqërore të shqiptarëve në Zvicër. Ajo është kundër nevojës për t`u arsyetuar, nevojë me të cilën ballafaqohen në vazhdimësi shqiptarët në Zvicër.
“Unë nevrikosem me faktin qe mediet kanë një fuqi marramendëse në formimin e paragjykimeve. Pse të arsyetohem unë, siç tha doktor Bilali në këtë dokumentar, për krimet që i ka bërë një person, që nuk i takon fare jetës sime? Nuk dua unë te jem viktimë e atyre njerëzve, që nuk janë të vetëdijshëm për këtë fuqi te medieve, që kanë paragjykime”, shpreh mospajtimin e saj Lindita.
“Unë nuk dua t`i takoj një emisioni, i cili duhet të arsyetoje faktin që kam lindur kosovare. Unë jam njeri dhe nuk dua të stigmatizohem. Por, fatkeqësisht një njeri i thjeshtë, siç duket, fatkeqësisht në Zvicrën demokratike, nuk di të mendojë larg. Jam, thjesht e zhgënjyer që duhet të arsyetohemi”, përfundon Lindita Aliu.
Nexhmedin Azizi, punëtor në ndërtimtari, thotë se i ka pëlqyer shumë dokumentari për “Shqiptarët e mirë”. Ai do të dëshironte që më shpesh të ketë emisione të tilla , kur do të afirmoheshin shqiptarët që punojnë me nder dhe nuk shkelin ligjet. “Përse për dukuritë negative që ndodhin te shqiptarët bëhet kaq shumë zhurmë ndërsa për shembujt pozitivë flitet me gjysmë zëri ose nuk flitet fare”, thotë Azizi.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar Për vitin aktual, SBB pret një fitim që ka të ngjarë të jetë në të njëjtin...
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave