Shkurt.ch

Hannes Germann, për vendin e SVP-UDC-së në qeveri

Germann, 55 vjeçar nga Schaffhauseni, konsiderohet se i takon krahut të matur të partisë

Deputeti i Schafhausen-it në Dhomën e kantoneve të Parlamentit të Zvicrës , Hannes Germann ka vendosur të kandidojë për të zënë vendin e dytë të SVP-UDC-së në Qeverinë Federale të Zvicrës. Siç ka bërë të ditur emisioni 10vor10 i sf1, atë e ka kandiduar mbrëmjen e të hënës seksioni i partisë së tij në Schaffhausen.

Germann 55 vjeçar konsiderohet se i takon krahut të matur të partisë. Për disa çështje si liria e lëvizjes apo braktisja e energjisë atomike ai ka votuar ndryshe nga partia e tij, SVP-UDC. Për këtë arsye llogaritet se është më i “votueshëm” nga partitë tjera se ndonjë kandidat i krahut të ashpër të partisë.

SVP-UDC konsideron se, si partia më e madhe e vendit që është, i takon edhe vendi i dytë në qeveri. Partitë tjera ia kontestojnë këtë të drejtë, por SVP-UDC kërcënon se heqja dorë nga vendi i dytë do të ishte njëherësh prishje e konkordatit që mbretëron në ndërtimin e qeverisë federale që nga fundi i viteve 50 të shekullit të kaluar.

Germann është deri më tash i nominuari i vetëm i partisë së tij për zgjedhjet që mbahen më 14 dhjetor.