Shkurt.ch

Pranon vrasjen, hesht për motivet!

Mbetet e hapur nëse kosovari 44 vjeçar do të akuzohet për vrasje të rëndë ose për vrasje me paramendim

Kosovari 44 vjeçar i cili para dy ditësh ka shkelur me qëllim me makinën e tij bashkëshorten, e cila për pasojë ka vdekur, ka pranuar sot veprën e kryer. Kështu bën të ditur zëdhënësi i Policisë së kantonit të St. Gallenit, Hans Peter Eugster. Sipas tij, dorasi, gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria, ka pranuar autorësinë e veprës mirëpo ende është duke heshtur në lidhje me motivet që e kanë shtyrë të bëjë këtë krim.

Prokuroria ka caktuar paraburgimin për dorasin. Ajo është duke grumbulluar faktet për ngritjen e padisë.

Në rast se ngrihet padia, mbetet e hapur nëse kosovari do të akuzohet për vrasje të rëndë ose për vrasje me paramendim. Ende jemi në fillim të hetimeve”, ka thënë për “St.galler Tagblatt” zëdhënësi i policisë.

Kosovari 44 vjeçar po jetonte i ndarë nga bashkëshortja e tij, të cilën e kishte goditur me qëllim me veturën e tij ndërsa ajo ishte duke shkuar në punë. Gruaja 40 vjeçare kishte vdekur në vendin e krimit. Dorasi ka qenë edhe më parë i njohur për veprimet e tij të dhunshme.