Shkurt.ch

Zvicra mund t`i kthejë tamilët

Tamilët me status të refuzuar të azilit, duhet të lëshojnë Zvicrën. Sipas një vendimi që ka marrë Gjykata Administrative Federale e Zvicrës, qytetarët e Sri lankës, (kryesisht me përkatësi etnike tamile) mund të kthehen pa problem në regjionet e lindjes dhe të veriut të vendit.

Duke marrë këtë vendim, Gjykata në fjalë ka mbështetur praktikën e ndryshuar nga muaji mars, të Entit Federal për Migracion.

Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në mes të ushtrisë së Sri Lankës dhe Tigrave tamilë në vitin 2009, situata në ato territore ka shënuar përmirësim të dukshëm.

Por, megjithatë, sipas Gjykatës Administrative të Zvicrës, mundësia e kthimit të azilkërkuesve duhet të shqyrtohet me kujdes. Gjendja e përgjithshme e të drejtave të njeriut në nivel vendi është përkeqësuar.