Shkurt.ch

Protesta në Bazel kundër Novartis-it

Përkundër fitimit prej 2.1 miliard franga, Novartis të martën pati paralajmëruar shuarjen e 760 vendeve të punës në Bazel dhe 320 në Nyon

Të shtunën në Bazel, rreth njëmijë veta kanë protestuar kundër vendimit të gjigantit farmaceutik Novartis për pushimin nga puna të 1100 punëtorëve vetëm në Zvicër.

Protestuesit kanë kërcënuar se, po qe nevoja, shkurtimet masive të vendeve të punës do t`i kundërshtojnë edhe me masa tjera, shkruan news.search.ch.

Sipas Corrado Pardinit nga sindikata Unia, humbja e vendeve të punës në masë kaq të madhe është “një skandal i papranueshëm” dhe kjo ka thyer një si pakt paqeje që ka ekzistuar deri më tash në Novartis.

Përkundër fitimit që brenda tremujorit të fundit ka qenë 2.1 miliard franga, Novartis të martën pati paralajmëruar shuarjen e 760 vendeve të punës në Bazel dhe 320 në Nyon.