Shkurt.ch

Gjiganti Novartis pushon nga puna 2000 punëtorë

Shkaqet: frangu i fuqishëm, i cili po e ngarkon afarizmin e ndërmarrjes dhe presioni për uljen e çmimeve të medikamenteve

Gjiganti i industrisë farmaceutike të Zvicrës, Novartis, ka kumtuar sot se do të shkurtojë 2000 vende të punës në të gjitha përfaqësitë që ka në gjithë botën. 1100 punëtorë do të pushohen nga puna vetëm në Zvicër.

Si shkak për këto largime masive Novartis ka përmendur frangun e fuqishëm, i cili po e ngarkon afarizmin e ndërmarrjes. Shkak tjetër është presioni i vazhdueshëm për uljen e çmimeve të medikamenteve që prodhon Novartis.

Megjithatë, sipas shifrave të kumtuara për kuartalin e tretë, qarkullimi i Novartisit është shtuar për 18% duke arritur kështu në 15 miliardë dollarë. Ndërkaq, fitimi i pastër është 2.5 miliardë, ose 7% më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i sindikatave që përfaqësojnë punëtorët e gjigantit. Sindikatat Unia dhe Syna kanë kërkuar që të mos largohet nga puna asnjë punëtor, bën të ditur swissinfo.ch.

Sipas tyre “është cinike që krahas rezultateve aq të mira financiare të mendohet pushimi nga puna i aq shumë punëtorëve”.