Shkurt.ch

Edhe “diaspora zvicerane” jashtë Parlamentit

Nuk janë vetëm shqiptarët dhe të huajt tjerë, që nuk janë zgjedhur deputetë në Parlamentin e Zvicrës

 Rrugën për ndërtesën më të lakmuar të këtij Zvicrës nuk kanë mundur ta gjejnë as zviceranët jashtë vendit.

Zviceranët me qëndrim jashtë vendit, ose diaspora zvicerane, që llogaritet se ka rreth 700`000 pjesëtarë, ka mbetur e papërfaqësuar në Parlamentin e Zvicrës. Për një post deputeti, patën kandiduar 81 zviceranë që jetojnë jashtë vendit, por, sipas rezultateve, del se temat që kanë ngritur “zviceranët e huaj” nuk kanë ngjallur ndonjë interesim te zgjedhësit vendorë.

Por, drejtori i organizatës së zviceranëve jashtë vendit, Rudolf Wyler thotë se megjithatë kandidaturat nuk kanë qenë të kota, me gjithë faktin se shanset e tyre ishin afër zeros. Sipas tij, kjo është më shumë një mënyrë komunikimi në mes të zviceranëve jashtë vendit me shtetin e tyre amë.

Sipas Zyrës Federale nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani që të zgjidhet në Parlamentin Federal ndonjë zviceran nga diaspora.

“Zvicra e Pestë”, siç quhet ndryshe diaspora e këtij vendi llogaritet se ka një “trup votues” prej 130.000 vetash.