Shkurt.ch

Një “kundërmim misterioz” zbret Airbusin e Lufthansa-s në Cyrih

Tre nga gjashtë pjesëtarët e bordit janë dërguar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrje

Një aeroplan i Kompanisë Gjermane “Lufthansa”, i tipit A320 ka bërë një aterrim të paplanifikuar në Aeroportin e Cyrihut, në Kloten. Airbusi gjerman po fluturonte nga Frankfurti për në Madrid, kur piloti alarmoi aeroportin e Cyrihut.

Nga kuzhina e aeroplanit, sipas zëdhënësit të Lufthansa-s po shpërndahej një kundërmim i pazakonshëm “djegës”. Ende nuk është mësuar prejardhja e këtij kundërmimi.

Aeroplani ka aterruar në orën 8.25 në Aeroportin e Cyrihut, në pistën 14. Pas aterrimit të detyruar, pasagjerët zbritën nga aeroplani pa pasur nevojë për ndihmë. Ndërkaq, tre nga gjashtë pjesëtarët e bordit janë dërguar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrje.

85 pasagjerët e aeroplanit janë shpërndarë në aeroplanë tjerë me destinim Madridin.