Shkurt.ch

SVP-UDC dhe FDP-PLR, kampione për shpenzimet zgjedhore

Për reklamat zgjedhore SVP ka dhënë gjatë shtatorit 3.7 milionë franga ndërsa FDP-PLR, 2.7 milionë

SVP-UDC dhe FDP-PLR kanë shpenzuar më së shumti para për fushatën zgjedhore, gjatë muajit shtator. Aq shumë të holla kanë dhënë ato për reklamat zgjedhore sa që kanë zënë vend në mesin e dhjetë “produkteve” më të reklamuara në përgjithësi, në gjithë Zvicrën.

Kështu ka konstatuar instituti për studimin e opinionit publik Focus, i ngarkuar nga televizioni i Zvicrës frankofone TSR.

SVP-UDC për reklama ka dhënë gjatë shtatorit 3.7 milionë franga ndërsa FDP-PLR, 2.7 milionë. E treta, mbrapa kësaj është CVP-PDC, e cila ka shpenzuar 1.7 milionë ndërsa pak më poshtë, në vendin e katërt për nga shpenzimet është SP-PS, e cila për reklamat zgjedhore ka dhënë 1.3 milion franga.

Me gjithsej 309 mijë franga të shpenzuara bie shumë më poshtë partia e gjelbër. Po kështu BDP-PDB ka paguar reklama për një shumë modeste prej 258 mijë frangash ndërsa më së paku ka dhënë Partia E gjelbër Liberale – 157 mijë franga.

Marrë së bashku, dhjetë partitë e mëdha gjatë shtatorit kanë shpenzuar për reklamat zgjedhore gjithsej 10.3 milionë franga.