Shkurt.ch

Paradeplatz lirohet nga “pushtimi” dyditësh

Por, aksioni do të vazhdojë tash në Lindenhof, një vend tjetër në qytetin e Cyrihut, ku nuk e pengojnë qarkullimin

Kanë liruar në mëngjesin e sotëm sheshin “Paradeplatz” rreth 40 aktivistët e fundit, pasi që e kishin mbajtur të pushtuar gjatë dy ditëve dhe netëve të vikendit.

Lëvizja e “Të mllefosurit”, e cila ka organizuar gjithë këtë aktivitet i është përgjigjur pozitivisht kërkesave të policisë, e cila, rreth orës 6.30 të mëngjesit kishte kërkuar nga ta që të lironin sheshin.

Por, aksioni i tyre do të vazhdojë tash në Lindenhof, një vend tjetër në qytetin e Cyrihut, ku nuk e pengojnë qarkullimin.

Rreth 1000 veta kishin pushtuar sheshin “Paradeplatz”, ku gjenden selitë e dy bankave më të mëdha zvicerane UBS dhe Credit Suisse. Ata po i bashkoheshin kështu lëvizjes më të re kundër “pushtetit monopolist të bankave”, të filluar në Nju Jork me moton “Occupy Wall Street”.