Integrimi

Gjykata Federale vendos në favor të kontribuuesve nga Kosova

Vendim udhërrëfyes PRO vlefshmërinë e Marrëveshjes

Një shtetas nga Kosova kishte aplikuar për pension të invaliditetit në dhjetor të vitit 2005 pranë Zyrës së Sigurimit të Invaliditetit për të siguruarit jashtë Zvicrës (IVSTA) . Procedura maratone e cila zgjati gati gjashtë vite, tanimë në përputhje me vendimin e Gjykatës Administrative Federale të marrë më 7 mars 2011, do të kthehet me qëllim të rishqyrtimit në Zyrën e Sigurimit të Invaliditetit për të siguruarit jashtë vendit. Edhe pse kundër këtij vendimi apeloi Enti Federal për Sigurime Shoqërore (BSV), Gjykata Federale me vendimin e marrë më 27 shtator 2011 – si instanca më e lartë vendimmarrëse në Zvicër- nuk pranon marrjen në shqyrtim të këtij apelimi duke vërtetuar kështu vendimin e Gjykatës administrative e që nënkupton kthimin e çështjes për rishqyrtim në zyrën e invaliditetit për të siguruarit jashtë vendit. Është ky një vendim udhërrëfyes PRO vlefshmërisë së Marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore Zvicër Kosovë.

Edhe pse Gjykata Federale Administrative nuk merr qëndrim përfundimtar në raport me ligjshmërinë e vendimit për mos vazhdimin e marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën, ajo i vë në dyshim procedurat dhe vlefshmërinë e këtij vendimi në njërën anë, ndërsa nga këndvështrimi i shumë shtetësisë e shprehet PRO vlefshmërisë së marrëveshjes.

Vendbanimi – shumë shtetësia

Në përputhje me marrëveshjen për sigurimeve Shoqërore në fuqi nga 1 marsi 1964, shtetasit e dy shteteve gëzojnë trajtim të barabartë në përfitime pavarësisht vendbanimit në rastin e realizimit të tyre.

Sipas një vendimi tjetër të Gjykatës Federale të Zvicrës, të marrë më 15 prill 2010, shtetasit e Kosovës krahas shtetësisë së Kosovës posedojnë edhe shtetësinë e Serbisë, ndërsa në anën tjetër, edhe Kosova garanton mundësinë e dyshtetësisë.

Pra, në raport me dyshtetësinë mund të krijohen dy situata të mundshme:

• Përderisa të jetë e vlefshme marrëveshja për sigurimet shoqërore në mes të dy shteteve, parakushti i vendbanimit është i plotësuar.

• Në rast të përfundimit të zbatimit të marrëveshjes për sigurimet shoqërore në raport me Kosovën, atëherë është kombinimi i situatës së një shtetasi me dy shtetësi, ku e vlefshme është shtetësia me të cilin shtet Zvicra ka një marrëveshje për sigurimet shoqërore.

Gjyqi Federal në një vendim për pension të pleqërisë është larguar nga parimi i shtetësisë eprore, duke marrë parasysh shtetësinë gjatë kohëzgjatjes së pagimit të kontributeve në Sigurimet Shoqërore në Zvicër ose shtetësinë gjatë realizimit të së drejtës për përfitim. Personi i siguruari ose duhet të ketë shtetësinë e një shteti me të cilin Zvicra ka marrëveshje për sigurimet shoqërore gjatë pagimit të kontributeve apo gjatë realizimit të përfitimeve nëse plotëson parakushtin e kohëzgjatjes së duhur për përfitime. Ky parim mundëson trajtim të barabartë të personave të siguruar.

Sipas kësaj del se faktikisht Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore për shtetasit e Kosovës është edhe më tej në fuqi dhe aplikimet për përfitime duhet të shqyrtohen nga zyrat e sigurimit të invaliditetit për të siguruarit jashtë vendit (IVSTA). Kjo vlen për aplikime të reja, revidime të pensioneve, kërkesa për rivlerësime.

Nga kjo del se në momentin hipotetik të mundësisë së realizimit të përfitimit apeluesi ka qenë ose shtetas jugosllav e nga 17 shkurti i vitit 2008 shtetas i dyfishtë kosovar e serb.

Këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare

Nga aspekti i kohëzgjatjes së vlefshmërisë: Pasi që marrëveshja ndërshtetërore hyn në fuqi më 1 mars 1964 (sipas nenit 25, paragrafi 1 i marrëveshjes kohëzgjatja e saj është një vit), Zvicra do të duhej të njoftojë palën kosovare para datës 30 nëntor 2009 (tre muaj para skadimit të afatit vjetor) që të përfundojë zbatimin e saj më 28 shkurt 2010, çka nuk ka ndodhur. Pra, njoftimi i dhënë më 18 dhjetor 2009 sikur të ishte një njoftim për prishje të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore do të përfundonte jo më herët se më 28 shkurt 2011.

Nga aspekti i kontestit sipas të drejtës ndërkombëtare. Qeveria zvicerane një muaj pas deklaratës për mosvazhdimin e marrëveshjes, pra para përfundimit të afatit të konsultimit (notifikimit) prej së paku tre muajsh në përputhje me Konventën e Vjenës, urdhëron zbatimin e deklaratës nëpërmjet qarkores Nr. 290 të Sigurimit të Invaliditetit të publikuar më 29 janar 2010. Pra, qeveria zvicerane ka shkelur dispozitat e konsultimit (notifikimit). Sipas këtyre dispozitave, pala kosovare do të duhej të kishte mundësinë e shprehjes së kundërshtimit deri më 18 mars 2010.

Pra, ajo që më së paku mund të thuhet është se procedura e mosvazhdimit të marrëveshjes nga optika e ligjshmërisë së lejuar është e diskutueshme.

Duke marrë parasysh rrethanat e përmendura si nga aspekti i juridiksionit, ashtu edhe nga aspekti i procedurave ndërkombëtare, vihet në dyshim nëse Zvicra mund të ndryshojë një marrëveshje sipas të drejtës ndërkombëtare dhe nëse mosvazhdimi i marrëveshjes me Kosovën është i vlefshëm.

Duke marrë parasysh mundësinë e interpretimet, gjyqi nuk mund të japë përgjigje përfundimtare në këto pyetje. 

Vendim përfundimtar i Gjykatës Federale

Duke marrë parasysh pasojat e deritanishme që ka sjellë vendimi i ndërprerjes së zbatimit të marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën mund të thuhet se vendimi i Gjykatës Federale është një i drejtë dhe udhërrëfyes i qartë drejtuar organeve politike ekzekutive të Zvicrës. Pas këtij vendimi qeveria e vendit duhet të shfuqizohej / anulohej vendimin për mos vazhdim dhe të nisë zbatimin e marrëveshjes me veprim retroaktiv.

Në anën tjetër shprehja e gatishmërisë dhe aplikimi i palës Kosovare për fillimin e negociatave duhet të kuptohet drejtë dhe të inkurajoj dy palët që të ulen sa më shpejt në tavolinën e negociatave për Marrëveshje mbi Sigurimet Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës.

Vendimi në fjalë paraqet një hap të rëndësishëm drejt trajtimit të trajtimit të barabartë të kontribuuesve në Sigurimet Shoqërore në Zvicër e që është në përputhje të plotë me premtimet e dhëna e Sigurimeve Shoqërore, para së gjithash të kolonës së parë, për shndërrimin e kontributeve në pensione të qëndrueshme e jo për kthimin e tyre të njëhershëm si kontribute.

*Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.