Shkurt.ch

“Paradeplatz” për të dytën natë “i okupuar”

Aktivistët thonë se në këtë shesh do të presin të hënën, ardhjen në punë të bankierëve, me të cilët ata dëshirojnë të zhvillojnë debat

Një grup aktivistësh, të cilët, sipas shembullit të Nju Jorkut po e zhvillojnë aktivitetin e tyre edhe në Cyrih me moton “Occupy paradeplatz” (“Pushtoje Paradeplatz-in”) kanë vendosur mbrëmë që ta kalojnë edhe natën e dytë nën qiell të hapur.

Përkundër tërheqjes së vërejtjes nga policia për ta liruar sheshin, “bërthama e fortë” e lëvizjes kundër asaj që e quajnë “arbitraritet të bankave” po vazhdon aksionin.

Ditë më parë një grup aktivistësh kundër përqendrimit të fuqisë në duart e bankave kishte nisur në rrugën Wall Street, aty ku ndodhen selitë e bankave më të mëdha amerikane, aksionin “Occupy the Wall Street”.

Duke ndjekur shembullin nga Nju Jorku, aksione të ngjashme janë zhvilluar në ditët vijuese në shumë kryeqendra botërore.

“Paradeplatz” është sheshi i njohur në Cyrih ku selitë e tyre i kanë dy bankat më të mëdha në Zvicër dhe ndër më të mëdhatë në botë, UBS dhe Credit Suisse.

Të shtunën, nën moton “Shpëtojini njerëzit – jo bankat”, në këtë shesh kanë protestuar rreth njëmijë veta. Një numër syresh ka vazhduar të qëndrojë në shesh edhe pas mbarimit të protestës. Ata më të vendosurit kanë ngritur edhe tenda dhe kanë kaluar natën aty.

Policia ka urdhëruar ata që, ditën e parë të punës, të hënën, sheshi duhet të jetë i liruar, shkruan tagesanzeiger.ch.

Ndërsa aktivistët thonë se në këtë shesh do të presin të hënën ardhjen në punë të bankierëve, me të cilët ata dëshirojnë të zhvillojnë debat mbi padrejtësitë që, sipas tyre i pëson “99 për qind” e popullit, që eksploatohet nga “1%”-shi, ku bëjnë pjesë bankierët, spekulantët e bursave etj.