Shkurt.ch

Zvicra, 54 milionë franga për UNDP-në

"UNDP është një faktor thelbësor në politikën ndërkombëtare të zhvillimit dhe një ndër partnerët më të rëndësishëm multilateralë të Zvicrës"

Zvicra mbështet programin zhvillimor të OKB-së (UNDP) për vitin 2011 me 54 milionë franga, shumë kjo të cilën e ka miratuar sot Qeveria Federale.

Nga viti 1997 deri në vitin 2007 mbështetja zvicerane për UNDP-në kishte qenë 52 milionë franga në vit, ndërsa nga viti 2008 ajo është në mënyrë standarde 54 milionë.

Në një komunikatë të lëshuar lidhur me këtë vendim, Departamenti i jashtëm i Zvicrës ka shkruar se “UNDP është një faktor thelbësor në politikën ndërkombëtare të zhvillimit dhe një ndër partnerët më të rëndësishëm multilateralë të Zvicrës”.

Në mesin e detyrave kryesore të UNDP-së është luftimi i varfërisë në botë. Detyrë tjetër është ndihma që u ofron shteteve të varfra për të ndërtuar strategjitë e tyre për zhvillim.

Zvicra bën pjesë në Këshillin administrues të UNDP-së.